Ballina Lajmet Kosovë Policia sekuestron 156 kilogramë eksploziv në Zubin Potok, i prodhuar nga kompania...

Policia sekuestron 156 kilogramë eksploziv në Zubin Potok, i prodhuar nga kompania serbe e lidhur me pushtetin

Policia e Kosovës ka sekuestruar 156 kilogramë eksploziv komercial në rrugën e Jagnjenicës, në komunën e Zubin Potokut, në një lokacion të pabanuar.

Sipas të dhënave zyrtare, eksplozivi është i prodhuar nga kompania serbe “Trayal Korporacija A.D.” nga Krushevci i Serbisë.

Drejtor gjeneral i kësaj kompanie është biznesmeni serb Millosh Neneziq, i cili njihet për lidhjet e tij me Partinë Përparimtare Serbe (SNS).

Portali serb Nova ka raportuar më herët se Neneziq ka marrëdhënie shumë të afërta me ish-drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës Serbe (BIA) dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Bratislav Gashiq.

Sipas raportimeve, fabrika “Trayal” kishte qenë për një kohë të gjatë në gjendje të rëndë financiare dhe në prag të shkatërrimit, me borxhe që në një moment arrinin deri në 130 milionë euro.

Megjithatë, Neneziqi i atribuohen meritat për rimëkëmbjen e kompanisë, pikërisht në periudhën kur Gashiq u emërua ministër i Mbrojtjes së Serbisë.

Pas këtij emërimi, “Trayal” nisi të përfitojë kontrata shtetërore. Gjatë një vizite në fabrikë në vitin 2015, Gashiq nënshkroi një kontratë për furnizimin e Ushtrisë së Serbisë me maska mbrojtëse.

Ai deklaroi se nga viti 2012 deri në atë kohë, fabrika i kishte furnizuar ushtrisë produkte me vlerë rreth shtatë milionë dinarë, ndërsa për tre vitet pasuese parashiheshin kontrata të reja në vlerë prej 250 milionë dinarësh.

Lidhjet mes “Trayal”-it dhe Gashiqit konsiderohen të hershme dhe të forta. Aktualisht, djemtë e Gašićit janë pjesë e drejtuesve të klubit futbollistik FK “Trajal”, sponsori kryesor i të cilit është pikërisht fabrika “Trayal”.

Exit mobile version