Ballina Lajmet Kosovë Politika, fajet për gjendjen e rëndë ekonomike!

Politika, fajet për gjendjen e rëndë ekonomike!

Ndaj raportit të fundit të Bankës Botërore, ku thuhet se në Kosovë papunësia mbetet e lartë, investimet e huaja direkte kanë rë për 36 për qind, kanë reaguar ekspertët e ekonomisë.

Ata për këtë gjendje fajësojnë drejtuesit e institucioneve të vendit.

Madje, sipas tyre, këtë raport duhet ta lexojnë qeveritarët, dhe ta kuptojnë qartë mesazhin dhe le te vërejnë në çfarë situate është vendi për shkak të papërgjegjësisë që po tregojnë, por edhe kanë treguar qeveritarët e mëhershëm.

Ibrahim Rexhepi njohës i çështjeve ekonomike thotë se raporti është real, sa do që pasqyron gjendjen shumë të rëndë në të cilën ndodhet vendi.

“Raporti është real, sa do që pasqyron gjendjen shumë të rëndë në të cilën ndodhet vendi. Madje, kur bëhet edhe krahasimi me vendet e tjera, duket se sa larg është Kosova, sa shume po ngec”.

Rexhepi theksoi se në këtë situatë ndikim shumë të madh kanë zhvillimet politike, dhe fajin ua lë gjithë atyre që kanë marrë votën e popullit dhe kanë dhënë premtime bukur të mëdha.

Njohësi i çështjeve ekonomike Naim Gashi parashikimet e Bankës Botërore për rritjen ekonomike 3.7 %, i sheh si lajm të mirë për ekonomin, por jo sinjale që ne do ti dëshironim.

“Kosova vazhdon ta ketë rritjen më të lartë ekonomike në rajon për shkak të konsumit të lartë, rritjes së sektorit privat, investimeve publike dhe vazhdimit të ardhjes së remitencave. Një element që injekton rritjen tonë ekonomike janë shpenzimet që diaspora i bëjnë gjatë qëndrimit në Kosovë”.

Gashi thotë se me këtë rritje të popullsisë Kosovës i nevojitet një dyfishim i rritjes ekonomike, për të frenuar papunësinë dhe për të zvogëluar varësinë nga importi galopant. Aktivizimi i resurseve tona energjetike dhe minerare, fuqizimi i sektorit të bujqësisë, turizmit, teknologjisë së informacionit dhe shërbimeve, do të mundësonin gati arritjen e synimit tonë nacional për dyfishim të rritjes ekonomike”.

Naim Gashi poashtu shpreh keqardhje që kjo klasë politike në pozitë dhe opozitë merren qe dy vite me ndarje të pushteteve, demarkacionin dhe asociacionin, ndërsa agjenda ekonomike gjithmonë po mbetet në plan të dytë dhe pasojat po i vuan ekonomia, të papunët dhe ata që kanë nevojë për përkujdesje sociale.

Për të mbështetur rritjen, janë sugjeruar reforma të mëtejshme për të ruajtur stabilitetin makroekonomik, për të stimuluar aktivitetin e sektorit privat, rritjen e efikasitetit të sektorit publik, dhe për të ndërtuar elasticitetin ndaj goditjeve të jashtme.

Ndër të tjera, në këtë raport thuhet se rritja ekonomike në Kosovë është parashikuar të jetë 3.6 për qind në vitin 2016, pak më e ulët se 3.9 për qind sa ishte në vitin 2015, dhe parashikohet të arrijë në 3.7 për qind në vitin 2018, sipas Raportit të fundit të Rregullt Ekonomik për Evropën Juglindore (SEERER), të prezantuar sot në Bruksel.

Masat rregulluese fiskale, të tilla si reformat e tatimeve dhe lufta kundër informalitetit, kanë vazhduar të rrisin performancën e të hyrave në gjysmën e parë të vitit 2016. Mirëpo, numri i madh i paparashikuar i përfituesve nga skema e transfereve sociale për veteranët e luftës ka shtuar presionet fiskale dhe ka shtyrë deficitin në rreth 2.5 për qind të PBB-së.

Investimet e Huaja Direkte kanë rënë për 36 për qind në gjysmën e parë të vitit 2016. Pjesa më e madhe e Investimeve të Huaja Direkte gjatë këtij viti kanë vazhduar të tërhiqen nga patundshmëritë, qiradhënia, dhe aktivitetet e biznesit, të pasuara nga sektori financiar.

Sektori financiar ka performancë të mirë, me fitime të larta, kreditë e këqija janë të ulëta, dhe normat e ulura të interesit po e nxisin kreditimin. Perspektiva mbetet pozitive.

Rritja ekonomike në Kosovë mbështetet nga kërkesa e brendshme, mirëpo duhet të bëhet më shumë që gradualisht të arrihet produktivitet më i lartë i brendshëm dhe aftësi më e madhe konkurruese në tregun e jashtëm, nëse Kosova dëshiron të mbyll hendekun e të ardhurave me Evropën në një periudhë afatmesme.

Exit mobile version