Politikani musliman me prejardhje pakistaneze ‘kryeministër i Skocisë’

Humza Yousaf

Politikani me prejardhje pakistaneze, Humza Yousaf është zgjedhur për të drejtuar Partinë Kombëtare Skoceze dhe rrjedhimisht për t’u bërë ministri i parë i Skocisë.

Yousaf mposhti kandidatet rivale Kate Forbes dhe Ash Regan, në një garë që ekspozoi përçarjet e thella brenda partisë.

37-vjeçari është muslimani i parë që do të udhëheqë një parti në mazhorancë në Mbretërinë e Bashkuar. Ai pritet të konfirmohet si lideri i parë i një qeverie që vjen nga pakicat etnike në një votim që do të mbahet të martën.

Aktualisht, Yousaf është ministër i Shëndetësisë i Skocisë dhe prej kohësh konsiderohej si pasardhësi i ministres së parë Nicola Sturgeon.

Në garën për lidership, Yousaf siguroi 52% të votave, kundrejt 48 për qind të zonjës Forbes. Ndërkohë, kandidatja tjetër, Ash Regan u mposht që në raundin e parë pasi mori 11 për qind të votave.

Kryetari i ri i Partisë Kombëtare Skoceze do të përballet të martën me një votim në Parlamentin skocez, të cilin ai pritet ta fitojë dhe të bëhet ministri i parë i vendit.

Ai ka deklaruar se pavarësisht betejave me qeverinë britanike do të punojë me të dhe qeveritë e vendeve të tjera të zhvilluara në mënyrë konstruktive. /euronews