Polonia raporton për më shumë përleshje me migrantë pranë kufirit me Bjellorusinë

Situata në kufirin e Bjellorusisë me Poloninë është duke u tensionuar më shumë pasi qindra migrantë të bllokuar në temperatura të ulta dhe pa ushqim të mjaftueshëm u përpoqën të futeshin me forcë në Poloni, vend anëtar i Bashkimit Evropian.

Varshava e ka akuzuar Bjellorusinë për terrorizëm për shkak të rolit të saj në përshkallëzimin e situatës.

Nga ana tjetër, udhëheqësi autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka kërcënoi se do të ndërpresë gazin për Evropën si hakmarrje për çdo sanksion të ri.

Kancelarja gjermane Angela Merkel më 11 nëntor foli me presidentin rus Vladimir Putin për herë të dytë brenda pak ditësh.

“Kancelarja theksoi se situata ishte shkaktuar nga regjimi bjellorus, i cili po përdorte njerëz të pambrojtur për të kryer një sulm hibrid ndaj Bashkimit Evropian”, tha në një deklaratë zëdhënësi i saj, Steffen Seibert.

Kriza ka ndezur një konfrontim të ri midis Perëndimit dhe Rusisë, e cila është aleati më i fortë i Bjellorusisë.

Moska dërgoi bombardues strategjikë me aftësi bërthamore për të fluturuar mbi Bjellorusi për të dytën ditë radhazi, në shenjë mbështetjeje për Minskun dhe si një kërcënim për Perëndimin.
Ministria polake e Mbrojtjes më 11 nëntor tha se “një grup prej disa qindra migrantësh u përpoqën të kalonin kufirin me forcë” pas përpjekjeve të ngjashme gjatë ditëve të fundit.

Sipas Komitetit Kufitar të Bjellorusisë, më shumë se 2.000 njerëz janë mbledhur në anën bjelloruse të kufirit me Poloninë.

Ministri lituanez i Mbrojtjes, Arvidas Anushauskas, tha se llogaritet të jenë më shumë se 1,000 migrantë përgjatë kufirit të vendit të tij me Bjellorusinë.

“Kjo situatë po e rrit mundësinë e provokimeve dhe incidenteve serioze që mund të përhapen edhe në fushën ushtarake”, thanë në një deklaratë të përbashkët nga ministrat e mbrojtjes të Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë.

BE-ja e ka akuzuar Lukashenkan se po dërgon migrantë ne kufijt e BE-së për t’u hakmarrë kundër Brukselit për sanksionet e vendosura pas zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar, të cilat Lukashenka pretendoi se i fitoi, por asnjë vend perëndimor nuk i ka njohur. /rel