Porti i Durrësit dhe zgjatimi i tij në Prishtinë, projekti i detajuar me kostot dhe periudhën e ndërtimit përfundon brenda vitit 2022

Projekti i detajuar i Portit të ri të Durrësit në Porto Romano, zgjatimi i tij në Prishtinë dhe hekurudha Durrës-Prishtinë pritet të përfundojë brenda vitit 2022.

Kështu u shpreh Autoriteti Portual Durrës (APD) në kthim të një përgjigjeje për Telegrafin rreth projektit të ri të prezantuar fillimisht nga kompania holandeze Royal Haskoning DHV në një takim me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në fillim të muajit dhe më pas i prezantuar edhe në mbledhjen e qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës të mbajtur në Prishtinë të hënën.

Sipas Autoritetit Portual, projekti do të përcaktojë saktë kalendarin e punimeve dhe kostot e ndërtimit për të tre investimet infrastrukturore që pritet të lidhin të dy vendet duke krijuar një korridor të ri drejt Ballkanit Perëndimor.

“Strategjia e miratuar nga qeveria shqiptare parashikon zhvendosjen progresive të porteve tregtare aktuale (veçanërisht në Vlorë dhe në Durrës) në facilitete të reja, moderne dhe të ndërlidhura me rrugën dhe hekurudhën, jashtë zonave urbane; si dhe paralelisht zhvillimin e porteve të vjetra në nyje zhvillimore të turizmit detar dhe ekonomisë blu”, ka theksuar APD.

Në zbatim të kësaj strategjie, APD ka siguruar fillimisht studimin e fizibilitetit teknik dhe ekonomik dhe hartimin e Master Planit tërësor të zonave portuale Durrës – Porto Romano, plan i cili parashikon ndërtimin e një porti të ri tregtar në Porto Romano dhe të zonës logjistike të integruar përkatëse.

Autoriteti Portual ka shtuar se përmes “konsulencës ndërkombëtare të drejtuar nga kompania holandeze “Royal Haskoning DHV”, operator ekonomik me reputacion në fushën e infrastrukturës portuale, ka vijuar punën për Hartimin e Projektit të detajuar inxhinierik të Portit të ri tregtar të Integruar të Durrësit në Porto Romano, ndërlidhjen me aksin hekurudhor, si dhe ndërtimin e terminalit logjistik të dedikuar, në Kosovë, për përpunimin e mallrave që transportohen në rrugë detare (Porti i thatë i Durrësit në Prishtinë).”

“Vizioni ynë për Portin e thatë, bazuar në eksperienca të ngjashme të suksesshme në portet e Europës veriore, është pikërisht që ta shtrijmë funksionin e nyjes logjistike të Porti të ri në Porto Romano deri në Kosovë, duke ndërlidhur edhe më mirë transportin detar dhe hekurudhor me korridoret rajonale 8 dhe 10 të parashikuara në strategjinë e transportit të Bashkimit Europian për Ballkanin”, ka sqaruar APD.

Në takimin midis Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë që u mbajt në Prishtinë është prezantuar projekti i ndërtimit të projektit tregtar në Porto-Romano, integrimi me hekurudhën Durrës-Prishtinë dhe Porti i Thatë në Kosovë.

Sipas prezantuesit të projektit, Eric Smit, nëse ky port do të realizohet Shqipëria dhe Kosova do të ndryshojnë lojën në Ballkan.

“Nëse ky port do të ndërtohej, do ta ndryshojnë lojën jo vetëm për dy shtetet, por edhe për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Smit nga Royal Haskoning DHV.