Predikuesi i Al-Aksës përshëndet politikën e Turqisë për Kudsin

Shejh Ekrema Sabri, hoxhë dhe predikues në xhaminë Al-Aksa të Kudsit, përshëndeti “politikën e urtë turke” ndaj qytetit të pushtuar dhe u bëri thirrje të tjerëve të ndjekin atë.

Në një intervistë ekskluzive për Anadolu Agency (AA), hoxha, i cili aktualisht është duke vizituar Turqinë vlerësoi marrëdhënien “shekullore” të vendit me Palestinën, duke thënë se ajo “është forcuar më shumë përmes politikës së saj të urtë duke ndërtuar urat e vëllazërisë me botën arabe” si dhe mbështetjen e “kauzës jetike palestineze”. Ai veçoi qasjen turke si një lloj të politikës të cilën palestinezët “e kërkojnë gjithmonë”.

Duke folur për dashurinë e popullit turk për xhaminë Al-Aksa dhe Kudsin, Sabri tha se gjatë kohës sa do të qëndrojë në Turqi do të vizitojë institucionet kulturore dhe mediatike në vend që janë të interesuara të mësojnë për vendin e tretë më të shenjtë të Islamit.

Ndalesat e hyrjes në Al-Aksa ‘të padrejta’

Shejh Sabri dënoi ndalesat e fundit të hyrjes në Al-Aksa nga autoritetet izraelite të cilat ai i përjetoi personalisht disa herë, duke i quajtur ato “të padrejta”, “përjashtuese”, “të pazakonshme” dhe politika të pashembullta në botë.

“Qëllimi”, tha ai, “është të zbrazet Al-Aksa nga zyrtarët dhe aktivistët” dhe “të shuhet kundërshtimi” ndaj ndërhyrjes nga grupet ekstremiste hebreje si dhe “ndëshkimi psikologjik” i palestinezëve.

Ai u ankua se ndërhyrjet kohët e fundit janë rritur dhe gëzojnë mbështetjen e qeverisë izraelite e cila “i shoqëron” ata.

“Al-Aksa është vetëm për muslimanët dhe hebrenjtë nuk kanë asnjë lidhje me të”, tha ai, duke shtuar se “Nuk ka vend për bisedime ose braktisje të asnjë grimce toke”.

Nevoja për narrativë islame rreth Kudsit

Sipas Shejh Sabrit, disa institucione ekstremiste hebraike kanë promovuar “rrëfimin e tyre të rremë” në lidhje me Kudsin, i cili ka marrë mbështetje të gjerë, përfshirë në Palestinë dhe vendet arabe. Një rrëfim islam “i qartë” dhe “i detajuar” për Kudsin është për këtë arsye urgjent “për të mbajtur masat islame të informuara rreth saj”, theksoi Sabri, ndërsa shprehu gjithashtu shpresën se “lidhja e muslimanëve me Al-Aksën është forcuar”.

Për më tepër, Sabri sfidoi mediat për të promovuar rrëfimin dhe njohuritë islame mbi Al-Aksa “çdo ditë” dhe “në disa gjuhë” për t’i mbajtur brezat e rinj më të lidhur me vendin e shenjtë.

“Muslimanët e duan Al-Aksën por nëse e pyet një musliman për historinë e Kudsit dhe statusin e tij, ai mund të mos e dijë atë”, tha ai duke nënvizuar rëndësinë e tejkalimit të lidhjes emocionale me vendin dhe mësimin për historinë e tij.

Hyr në Al-Aksa përmes dyerve të duhura

Javën e kaluar, AA raportoi se Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) po manovrojnë për kontrollin e Al-Aksës duke përfituar nga marrëveshja e fundit e normalizimit që nënshkroi me Izraelin, lëvizje që kanë përshkallëzuar rivalitetin për kontrollin fetar të vendit të shenjtë në favor të Izraelit.

Kjo u pasqyrua në një deklaratë të përbashkët nga SHBA, EBA dhe Izraeli në gusht, e cila tha se “të gjithë muslimanët që vijnë në paqe mund të vizitojnë dhe të luten në xhaminë al-Aksa dhe vendet e tjera të shenjta të Kudsit duhet të qëndrojnë të hapura për adhuruesit paqësorë të të gjitha besimeve”.

Ironikisht, EBA veprojnë në bashkëpunim me kolonët izraelitë dhe ekstremin e djathtë në përpjekje për të minuar autoritetin e Këshillit Suprem Musliman të Jordanisë dhe Palestinës mbi vendin e shenjtë.

Më 18 tetor, një delegacion nga EBA vizitoi Xhaminë Al-Aksa nën mbrojtjen e forcave Izraelite, duke nxitur kritika nga Kryeministri Palestinez Muhamed Shtayyeh.

“Në Xhaminë Al-Aksa duhet të hyhet përmes portës së pronarëve të saj (autoritetit jordanez dhe palestinez), jo përmes portës së pushtuesit izraelit”, protestoi Shtayyeh.

Nga ana e saj, Abu Dhabi kërkon të legjitimojë marrëveshjen e tij të normalizimit me Izraelin duke promovuar idenë se marrëveshja u jep muslimanëve më shumë liri të qasjes për të vizituar xhaminë e shenjtë.

Shejh Sabri përsëriti shqetësimet e Shtayyeh, duke paralajmëruar rrezikun e vizitës në xhaminë Al-Aksa përmes koordinimit me pushtuesin izraelit, pasi ajo nuk ka të drejtë të japë leje hyrjeje.