Ballina Artikuj Presidenti dhe Papa… Kur përplasja fetaro-politike kthehet në krizë elektorale

Presidenti dhe Papa… Kur përplasja fetaro-politike kthehet në krizë elektorale

Në një përshkallëzim të dukshëm që ndërthur fenë me politikën, raportime nga Washington Post, Axios dhe Newsweek bien dakord se përballja mes presidentit amerikan Donald Trump dhe Papa Leo XIV ka kaluar përtej një mosmarrëveshjeje të zakonshme.
Sipas tyre, ajo është shndërruar në një krizë shumëdimensionale, morale, fetare dhe politike, që mund të ndikojë drejtpërdrejt në llogaritjet zgjedhore në Shtetet e Bashkuara, sidomos për shkak të ndjeshmërisë së votës katolike.
Nga debat diplomatik në “tërmet politik”
Përplasja mes Shtëpisë së Bardhë dhe Vatikanit nuk është më thjesht një debat rreth konceptit të “luftës së drejtë”, por është kthyer në një krizë që kërcënon bazën elektorale të Trump.
Në thelb të konfliktit qëndron përshkallëzimi ndaj Iranit: ku Trump ka përdorur një gjuhë të ashpër dhe kërcënuese, ndërsa Papa ka bërë thirrje për qetësi dhe refuzim të dhunës. Ky dallim u shndërrua në sulme personale nga presidenti ndaj kreut të Kishës Katolike.
Përshkallëzimi i konfliktit
Tensioni arriti kulmin gjatë “Javës së Mundimeve” (Java e Shenjtë), kur Trump publikoi postime “armiqësore” në platformën e tij dhe e përshkroi Papën si “të dobët” dhe “të dështuar”.
Madje, publikoi një imazh të krijuar me inteligjencë artificiale ku paraqitej si figurë “mesianike” që shëron njerëz, gjë që u kritikua si blasfemi nga qarqet fetare.
Reagimi i Papës
Papa reagoi me ton të qetë por të vendosur gjatë një turi në Afrikë. Ai theksoi se është “meshtar i Ungjillit, jo politikan”, e cilësoi të papranueshme retorikën për shkatërrimin e një “qytetërimi të tërë”. Ai theksoi se përdorimi i forcës duhet të jetë për paqe të qëndrueshme, jo për kërcënim.
Washington Post theksoi: se debati etik mbi “luftën e drejtë” është dëmtuar dhe se administrata amerikane po keqpërdor simbolet fetare për qëllime politike. U kritikua edhe krahasimi i një operacioni ushtarak me ringjalljen e Krishtit.
Sipas Axios: katolikët përbëjnë rreth 20% të votuesve në SHBA dhe janë një grup vendimtar dhe i lëkundshëm. Trump, që kishte fituar mbështetje të madhe prej tyre në 2024, tani rrezikon t’i humbasë pas sulmit ndaj Papës. Situata bëhet më delikate sepse Papa konsiderohet “një prej tyre” nga katolikët amerikanë.
Newsweek raporton se Papa gëzon popullaritet shumë më të lartë se Trump, një sondazh i NBC News i jep Papës +34 në vlerësim, kundrejt -12 për Trump
Gjithashtu figura fetare konservatore si peshkopi Robert Barron kanë kërkuar falje nga Trump, kjo tregon përçarje edhe brenda bazës konservatore katolike.
Feja dhe politika: një përplasje e rrezikshme
Konflikti pasqyron dy qasje: një diskurs fetar që kërkon paqe dhe një diskurs politik që mbështetet te forca dhe përshkallëzimi.
Kjo përplasje mund të ndikojë drejtpërdrejt në zgjedhje dhe në aleancat politike në SHBA.

Behar Kaçeli

Exit mobile version