Presidenti egjiptian do të takohet me kryeministrin izraelit në Sharm el-Sheikh

Presidenti egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, sot më vonë në vendpushimin Sharm el-Sheikh të Detit të Kuq do të takohet me kryeministrin izraelit, Naftali Bennet, për të biseduar mbi ringjalljen e procesit të paqes në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidenca egjiptiane njoftoi se të dy liderët do të diskutojnë disa çështje rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Rrjeti zyrtar i Korporatës Transmetuese Izraelite po ashtu konfirmoi takimin, që është takim i parë midis liderëve të dy vendeve që kur Bennet mori pushtetin në Izrael në muajin qershor.

Më 18 gusht, shefi i inteligjencës egjiptiane, Abbas Kamel, u takua me kryeministrin Bennet në Tel Aviv, ku ai përcolli një ftesë zyrtare për të vizituar Egjiptin.

Egjipti po ndërmjetëson një marrëveshje armëpushimi midis Izraelit dhe grupeve të rezistencës palestineze në Gaza, pas ofensivës së fundit ushtarake izraelite në territorin palestinez në muajin maj.

Bisedimet e paqes midis palestinezëve dhe Izraelit kanë ngecur që nga prilli i vitit 2014 për shkak të refuzimit të Tel Avivit për të ndaluar ndërtimin e vendbanimeve të paligjshme, lirimit të të burgosurve palestinezë dhe shmangies së zgjidhjes me dy shtete. /aa