Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Presidenti Erdogan: Duhet të zbatohen kushtet e marrëveshjeve të armëpushimit dhe integrimit...

Presidenti Erdogan: Duhet të zbatohen kushtet e marrëveshjeve të armëpushimit dhe integrimit të plotë në Siri

Epoka e terrorizmit në rajon ka përfunduar, tha të hënën presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, duke theksuar se duhet të zbatohen kushtet e marrëveshjeve të reja të armëpushimit dhe integrimit të plotë në Siri dhe të shmangen keqllogaritjet, raporton Anadolu.

Sirianët duken të kënaqur me marrëveshjen e arritur të dielën, përveç një grushti “grupesh proxy” që kërkojnë të krijojnë një “shtet brenda shtetit”, tha Erdogan pas një mbledhjeje të kabinetit në kryeqytetin Ankara.

Erdogan tha se i ka përcjellë presidentit sirian, Ahmad al-Sharaa, se Ankaraja do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Damaskut në luftën kundër terrorizmit, duke shtuar: “Ne nuk do ta braktisim popullin sirian”.

Turqia beson se një Siri e bashkuar dhe me integritet territorial është jetike për prosperitetin rajonal, theksoi ai, duke shtuar: “Siria u përket sirianëve”.

Ankaraja është vëlla, fqinj dhe mik i popullit sirian në kohë nevoje, shtoi Erdogan, duke theksuar se Siria u përket sirianëve me të gjitha grupet e tyre fetare dhe etnike, përfshirë arabët, turkmenët, kurdët, alevitët, sunitët dhe druzët.

“Për të siguruar që vuajtjet e përjetuara një shekull më parë të mos përsëriten, ne nuk do të biem në kurthet e ngritura përpara nesh dhe nuk do t’u nënshtrohemi provokimeve”, theksoi ai.

Të dielën në mbrëmje, Sharaa njoftoi një armëpushim dhe një marrëveshje për integrimin e plotë të organizatës terroriste YPG/SDF në institucionet shtetërore.

Njoftimi pasoi një operacion të ushtrisë siriane, me të cilin u rimorën zona të gjera në lindje dhe verilindje të Sirisë pas shkeljeve të përsëritura nga SDF-ja të marrëveshjeve të nënshkruara me Damaskun rreth një vit më parë.

Exit mobile version