Presidenti Erdoğan zhvillon bisedë telefonike me presidentin e Izraelit, Herzog

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Izraelit, Isaac Herzog, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryesia Komunikimeve pranë Presidencës së Turqisë njoftoi se në bisedë janë trajtuar marrëdhëniet Turqi-Izrael si dhe çështjet rajonale.

Në bisedën me homologun izraelit, presidenti Erdoğan tha se marrëdhëniet Turqi-Izrael gjithashtu janë të rëndësishme për sigurinë dhe stabilitetin e Lindjes së Mesme, duke potencuar se dallimet në opinione mund të minimizohen në qoftë se veprohet me mirëkuptim të ndërsjellë si për çështjet bilaterale ashtu edhe për ato rajonale.

Erdoğan në bisedën me Herzog theksoi se është e nevojshme të rivendoset paqja, toleranca dhe kultura e bashkëjetesës në rajon, duke shtuar se në këtë drejtim zhvillimi i marrëdhënieve palestinezo-izraelite dhe rifillimi i procesit të paqes janë me prioritet.

Presidenti Erdoğan vuri në dukje se mbajtja e kontakteve dhe dialogut mes Turqisë dhe Izraelit është në interes të përbashkët.

– Deklarata e Izraelit

Ndërkohë, në deklaratën nga Presidenca e Izraelit, presidenti izraelit Isaac Herzog, i ka bërë një telefonatë presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Sipas deklaratës, biseda është zhvilluar në një atmosferë pozitive ndërsa thuhet se Erdoğan ka potencuar rëndësinë që u kushton marrëdhënieve me Izraelin për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Lindjen e Mesme.

Nga ana tjetër, Herzog ka shprehur kënaqësinë për dëshirën e Turqisë dhe Izraelit për t’u angazhuar në dialog gjithëpërfshirës për çështjet bilaterale dhe rajonale që lidhen me paqen e rajonit.

Liderët gjithashtu janë dakorduar që të qëndrojnë në kontakt. /aa