Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi zhvilloi bisedime sot në Kajro me ministrin e Jashtëm saudit, princin Faisal bin Farhan, në mes të përshkallëzimit të situatës në jug të Jemenit, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të presidencës u tha se në bisedimet mes dy palëve u trajtuan një sërë çështjesh rajonale dhe ndërkombëtare me interes të përbashkët.
Sisi ka theksuar rëndësinë e intensifikimit të koordinimit egjiptiano-saudit mbi çështjet me interes të përbashkët dhe krizave në vazhdim në rajon.
Sipas deklaratës, të dyja palët kanë ndarë qëndrime të njëjta mbi domosdoshmërinë e arritjes së zgjidhjeve paqësore për krizat rajonale, në një mënyrë që ruajnë unitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve, veçanërisht në Sudan, Jemen, Somali dhe Rripin e Gazës.
Presidenti egjiptian ka vlerësuar përpjekjet e Arabisë Saudite për të pritur një konferencë dialogu mes palëve jemenase mbi çështjen e jugut të vendit.
Të shtunën, Riadi ftoi të gjitha palët në territorin jemenas jashtë kontrollit të Houthive që të marrin pjesë në një konferencë për të diskutuar çështjen e jugut.
Ftesa erdhi një ditë pasi Aidarous Zubaidi, kreu i Këshillit Tranzitor të Jugut (STC), njoftoi një “fazë kalimtare” dyvjeçare që do të përfshinte dialog me palë në jug të Jemenit dhe një “referendum” mbi të ardhmen e jugut.
Ajo erdhi pasi forcat e STC-së morën nën kontroll provincat lindore Hadhramaut dhe al-Mahra, por forcat qeveritare të dielën rimorën kontrollin e plotë të dy rajoneve, të cilat përbëjnë gati gjysmën e territorit të Jemenit dhe ndajnë kufij me Arabinë Saudite.
Javën e kaluar, Arabia Saudite akuzoi Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) se “po shtyjnë forcat e STC-së të kryejnë operacione ushtarake” përgjatë kufirit jugor të mbretërisë në Hadhramaut dhe Mahra. Abu Dhabi e mohoi akuzën.
Sisi ka mirëpritur gjithashtu përpjekjet në vijim për të organizuar mbledhjen e parë të Këshillit Suprem të Koordinimit Egjiptiano-Saudit, e planifikuar të mbahet më vonë këtë vit nën drejtimin e Sisit dhe princit të kurorës Mohammed bin Salman.
