Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Presidenti i Kazakistanit: I kushtojmë rëndësi të veçantë zhvillimit të përbashkët të...

Presidenti i Kazakistanit: I kushtojmë rëndësi të veçantë zhvillimit të përbashkët të IT-së me Turqinë

Presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, deklaroi se vendi i tij i ka kushtuar rëndësi të veçantë zhvillimit të përbashkët të teknologjive të informacionit (IT) me Turqinë, raporton Anadolu.

“Ne i kemi kushtuar rëndësi të veçantë çështjes së zhvillimit të teknologjive të informacionit në mënyrë të përbashkët”, tha Tokayev gjatë një konference të përbashkët për media me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdoğan, në kryeqytetin Ankara, ku ai mbërriti një ditë më parë për një vizitë zyrtare.

Duke theksuar se Turqia ka arritur suksese të rëndësishme në fushën e mbrojtjes, Tokayev e uroi Erdoğanin për organizimin e Panairit të 17-të Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes (IDEF 2025), i cili u mbajt në metropolin turk, Stamboll, nga 22 deri më 27 korrik.

Presidenti kazak tha se arritjet e Turqisë në industrinë ushtarake u prezantuan gjerësisht gjatë këtij aktiviteti gjashtëditor.

“Teknologjitë tuaja bashkëkohore dhe të avancuara u vlerësuan lartë nga ekspertët ndërkombëtarë. Zhvillimi i teknologjive të informacionit dhe shfrytëzimi i mundësive moderne digjitale në sektorë të ndryshëm të ekonomisë janë kërkesa të kohës sonë”, shtoi Tokayev.

Ai theksoi gjithashtu se edhe Kazakistani ka arritur përparime në fushën e IT-së dhe se në këtë drejtim janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm nga Astana.

“Këto iniciativa do të ndikojnë në zhvillimin e teknologjisë së inteligjencës artificiale (AI)”, tha ai, duke shtuar se ekzistojnë mundësi të rëndësishme për të zgjeruar partneritetin strategjik ndërmjet Kazakistanit dhe Turqisë në fushën e teknologjisë së informacionit.

Exit mobile version