Presidenti i rrëzuar i Sirisë, Bashar al-Asad, dhe familja e tij të dielën mbërritën në Moskë, ku Rusia u ofroi atyre azil, njoftoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve, transmeton Anadolu.
“Asad dhe anëtarët e familjes së tij mbërritën në Moskë. Rusia, bazuar në konsiderata humanitare, u dha atyre azil”, citohet një burim i Kremlinit nga TASS.
Pas një periudhe qetësie relative, përleshjet midis forcave të regjimit të Asadit dhe grupeve kundër regjimit u rindezën më 27 nëntor në zonat rurale në perëndim të Halepit, një qytet i madh në Sirinë veriore.
Gjatë dhjetë ditëve, forcat opozitare nisën një ofensivë, duke marrë nën kontroll qytetet kryesore dhe më pas, të dielën, kryeqytetin, Damaskun. Përparimi i shpejtë, i mbështetur nga njësitë ushtarake që dezertuan, çoi në rënien e regjimit të Asadit pas 13 vitesh lufte civile.