Presidenti iranian: Nuk do të pranojmë negociata me Perëndimin nën presion

Ebrahim Raisi

Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi tha se janë të gatshëm të rifillojnë bisedimet bërthamore që u mbajtën në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë dhe u ndërprenë në muajin qershor, por që nuk do të pranojmë negociata me Perëndimin nën presion, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një intervistë të publikuar në televizionin shtetëror, Raisi foli në Teheran rreth politikës së jashtme dhe të brendshme që vendi i tij do të ndjekë në periudhën e qeverisë së re të përbërë nga konservatorët.

“Në këtë periudhë duhet të rindërtojmë besimin e dëmtuar të popullit. Rruga për të rifituar besimin e njerëzve është të tregohesh i drejtë. Të gjithë burrat e shtetit duhet të jenë të drejtë dhe të përmbushin me drejtësi premtimet e dhëna ose nëse nuk përmbushen duhet t’ia shpjegojnë popullit arsyen se përse nuk janë përmbushur”, tha Raisi duke shtuar se ndjenja e besimit në popull është dobësuar në periudhën e qeverisë së mëparshme.

Ai tha se në periudhën e qeverisë së tyre do të luftojnë korrupsionin.

“Ministrat, zyrtarët dhe drejtuesit e kësaj qeverie kanë një mirëkuptim në çështjen e luftës kundër korrupsionit, sepse kushti ynë në qeveri është lufta kundër korrupsionit për të gjithë drejtuesit në çdo nivel. Nuk është detyrë vetëm e presidentit që t’i japë përgjigje popullit para kamerave. Çdonjëri prej drejtuesve tanë duhet të bëjë veten përgjegjës në çdo nivel dhe se duhet të informojnë popullin tonë për çdo çështje”, theksoi Raisi.

Në një pjesë tjetër të fjalimit të tij, Raisi u bëri thirrje iranianëve jashtë vendit të bëjnë investime në vend. “Iranianëve jashtë vendit u them se Irani është i sigurt dhe i parashikueshëm për investime. Edhe institucionet shtetërore janë të gatshme për këto investime”, shtoi ai.

“Marrëdhëniet me fqinjët tanë, prioriteti ynë”

Në vlerësimin e tij lidhur me zhvillimet në Afganistan, presidenti iranian vuri në dukje se zgjidhja e problemeve në Afganistan do të jetë e mundur me formimin e një qeverie që do të formohet me vullnetin e popullit në këtë vend.

“Ne mbështesim një qeveri që lind nga vullneti i popullit në Afganistan”, tha Raisi duke potencuar rëndësinë e ndalimit edhe të konflikteve në vend.

Ai tha se lidhur me çështjen e Afganistanit ka formuar kontakte me më shumë se 50 zyrtarë nga vende të ndryshme dhe se do të vazhdojë bisedimet e tij.

Pasi bëri të ditur se sigurinë e Afganistanit e shohin si sigurinë e Iranit, Raisi tha: “Jo vetëm e Afganistanit, por edhe siguria e të gjitha vendeve fqinje është siguri e jona dhe se shumë herë unë e kam thënë se marrëdhëniet me fqinjët tanë janë prioriteti ynë”. /aa