Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Presidenti kinez do të presë presidentin e Koresë së Jugut në një...

Presidenti kinez do të presë presidentin e Koresë së Jugut në një vizitë shtetërore

Koreja e Jugut ka njoftuar se presidenti i saj Lee Jae Myung do të zhvillojë vizitë shtetërore në Kinë, ku do të takohet me presidentin Xi Jinping, transmeton Anadolu.

Siç raporton agjencia Yonhap News, këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Wi Sung-lac tha se presidenti Lee do të mbërrijë në Pekin të dielën, do të zhvillojë një samit me presidentin Xi të hënën dhe pastaj të martën do të udhëtojë drejt Shangait për një qëndrim dyditor.

Para vizitës, Wi tha se “Seuli respekton politikën e një Kine dhe vepron në përputhje me këtë qëndrim”.

Gjatë takimit me Xi, në raport thuhet se Lee pritet të diskutojë për bashkëpunimin ekonomik dhe përpjekjet për paqe në Gadishullin Korean si dhe do të kërkojë rolin e Pekinit në krijimin e “një përparimi vendimtar në zgjidhjen e çështjeve në Gadishullin Korean”.

Lee do të bëhet presidenti i parë në detyrë i Koresë së Jugut që udhëton në Kinë që nga viti 2019.

Vizita e tij vjen pasi Xi zhvilloi vizitë shtetërore treditore në Korenë e Jugut nga 30 tetori deri më 1 nëntor, ku mori pjesë edhe në samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Gyeongju.

Kjo ishte vizita e parë e presidentit Xi në Korenë e Jugut pas 11 vitesh. Kina dhe Koreja e Jugut vendosën zyrtarisht marrëdhënie diplomatike në gusht të vitit 1992. Vëllimi tregtar mes dy vendeve arriti në 267.6 miliardë dollarë në vitin 2024.

Exit mobile version