Ballina Lajmet Kosovë Presidentja Osmani do të përfaqësojë Kosovën në Samitin BE-Ballkani Perëndimor nesër në...

Presidentja Osmani do të përfaqësojë Kosovën në Samitin BE-Ballkani Perëndimor nesër në Bruksel

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të marrë pjesë nesër në Samitin BE–Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Bruksel.

Pjesëmarrja e Presidentes Osmani është konfirmuar nga këshilltari i saj për media, Bekim Kupina, i cili ka bërë të ditur se ftesa ka ardhur drejtpërdrejt nga institucionet e Bashkimit Evropian.

“Me ftesë të institucioneve të BE-së, Presidentja Osmani do ta përfaqësojë Kosovën në Samitin BE–Ballkani Perëndimor”, ka deklaruar Kupina për Tëvë1.

Samiti do të kryesohet nga Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Bashkimi Evropian do të përfaqësohet gjithashtu nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si dhe nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.

Sipas njoftimit të Bashkimit Evropian, ky samit synon të shërbejë si një platformë për të demonstruar dhe rikonfirmuar forcën e marrëdhënieve strategjike ndërmjet BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe përfitimet konkrete që këto marrëdhënie u sjellin qytetarëve të rajonit.

Në përfundim të takimit, pritet të miratohet Deklarata e Samitit BE–Ballkani Perëndimor.

Exit mobile version