Ballina Lajmet Kosovë Presidentja Shiroka-Pula merr urime nga katër presidentë, zotohen për forcim të bashkëpunimit

Presidentja Shiroka-Pula merr urime nga katër presidentë, zotohen për forcim të bashkëpunimit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pranuar urime me rastin e zgjedhjes në detyrë nga presidentët e Finlandës, Sllovenisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Presidenti finlandez, Alexander Stubb, i ka uruar Shiroka-Pulës sukses në ushtrimin e detyrës, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në mbështetje të paqes, stabilitetit, demokracisë dhe integrimit evropian.

Ndërkaq, presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, ka shprehur bindjen se marrëdhëniet miqësore ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë do të vazhdojnë të thellohen. Ajo ka riafirmuar mbështetjen e vendit të saj për Kosovën në avancimin e vlerave demokratike, bashkëpunimin rajonal, forcimin e institucioneve dhe sundimin e ligjit.

Pirc Musar gjithashtu ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në kuadër të Procesit Brdo-Brijuni.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e ka uruar presidenten e re të Kosovës për marrjen e detyrës, duke theksuar se Kosova dhe Shqipëria do të qëndrojnë së bashku përballë sfidave dhe në rrugën drejt integrimit evropian.

Urime ka përcjellë edhe presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, e cila ka shprehur besimin se udhëheqja e Shiroka-Pulës do të kontribuojë në forcimin e dialogut dhe kohezionit shoqëror.

Ajo ka theksuar rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore, të bazuara në mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë, si dhe gatishmërinë për t’i dhënë shtysë të re bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor ndërmjet dy vendeve

Exit mobile version