Protesta mbarëbotërore ndaj ndryshimeve klimatike

Të rinjtë kudo përreth botës kanë vërshuar rrugët të premten për të kërkuar veprim urgjent në shmangien e ndryshimeve katastrofale klimatike, në kuadër të protestës më të madhe që nga fillimi i pandemisë COVID-19.

Protesta është mbajtur pesë javë para samitit të OKB-së për klimën në Skoci. Gjatë tubimit në rrugët e Berlinit, aktivistja suedeze për klimën, Greta Thunberg, ka thënë se përqendrimi i dyoksid karbonit në ajër nuk ka qenë kaq i lartë në të paktën 3 milionë vjetët e fundit.

Tubimet protestuese të lëvizjes rinore “Të premtet për të Ardhmen”, janë mbajtur në më shumë se 1 mijë e 500 lokacione, duke nisur nga Filipinet dhe Bangladeshi, deri në qytetet më të mëdha evropiane, përfshirë Berlinin, Romën dhe Varshavën.

Protestat e kësaj të premte kanë shënuar rikthimin e tubimeve me prani fizike të aktivistëve të rinj për klimën që nga fillimi i pandemisë. Lëvizja protestuese kishte nxjerrë nëpër rrugë më shumë se 6 milionë persona gjatë vitit 2019. /koha