Protesta në Madrid kundër sulmeve të fundit izraelite në Gaza

Protesta kanë shpërthyer në kryeqytetin spanjoll Madrid pasi demonstruesit u tubuam për të dënuar veprimet e fundit ushtarake të Izraelit kundër Gazës, të cilat prishën armëpushimin që ka qenë në fuqi që nga janari, raporton Anadolu.

Tubimi i organizuar nga organizata të ndryshme të shoqërisë civile në solidaritet me popullin palestinez u zhvillua në sheshin Callao në qendër të Madridit.

Duke brohoritur slogane të tilla si “Izrael, vrasës”, “Rroftë rezistenca palestineze” dhe “Jo gjenocidit”, demonstruesit shprehën revoltën dhe kundërshtimin e tyre ndaj sulmeve të vazhdueshme të Izraelit në Gaza.

Protesta u mbështet edhe nga partia opozitare spanjolle Podemos.

“Nuk do të mësohemi me barbarizmin e sionistëve. Ne hedhim poshtë gjenocidin ndaj popullit palestinez”, ishte një nga sloganet kryesore të protestës.

Gjatë demonstratës, protestuesit i bënë thirrje qeverisë spanjolle të ndalojë të gjitha shitjet e armëve për Izraelin, të cilat pretendojnë se vazhdojnë pavarësisht nga garancitë e qeverisë se shitjet e tilla u ndaluan më 7 tetor të vitit 2023.

Rrjeti i Solidaritetit kundër Pushtimit të Palestinës (RESCOP) i ka kundërshtuar këto deklarata, duke cituar të dhëna të tregtisë së jashtme që tregojnë se Spanja eksportoi mbi 22 mijë euro pjesë artilerie dhe raketahedhëse në Izrael në muajin janar, së bashku me blerjen e mbi 2 milionë eurove në bomba dhe granata dore nga vendi.

Protestat vijnë në mes të konfliktit të vazhdueshëm në Gaza, pasi ushtria izraelite rifilloi sulmet ajrore në rajon pas prishjes së armëpushimit që ka qenë në fuqi që nga 19 janari.

Sipas raporteve të fundit, sulmet ajrore izraelite në Gaza, që filluan më 18 mars, kanë rezultuar në vdekjen e më shumë se 430 palestinezëve, duke përfshirë një numër të konsiderueshëm grash dhe fëmijësh.