Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Protesta në SHBA pas vrasjes së një të riu me ngjyrë nga...

Protesta në SHBA pas vrasjes së një të riu me ngjyrë nga policia

Qindra protestues mbushën rrugët e Mineapolisit duke kërkuar drejtësi për vrasjen e një të riu me ngjyrë nga policia, gjatë një operacioni policor.

Rreth 500 demonstrues u mblodhën tek Sheshi Qeveritar në qytetin më të madh të shtetit të Minesotës, tre ditë pasi 22-vjeçari Amir Locke u qëllua teksa qëndronte në divanin e tij nga policia.

Turma u mblodh pavarësisht temperaturave nën zero, duke kërkuar ndalimin e ndërhyrjeve pa paralajmërim të policisë, arrestimin e oficerëve të përfshirë në vrasje dhe dorëheqjen e kryebashkiakut dhe shefit të uniformave blu.

Ditën pas vrasjes, policia publikoi një video nga aksioni, në të cilin 22-vjeçari me ngjyrë shfaqet duke mbajtur një armë teksa qëndron i mbuluar me një batanije në divanin e tij para se të ngrihej nga oficerët dhe të vritej.

Autoritetet deklaruan se agjentët po zbatonin një urdhër kontrolli pa paralajmërim, që i autorizon ata të hyjnë në pronë private pa njoftuar banorët, apo pa bërë të ditur praninë e tyre.

Operacioni po zhvillohej në kuadër të një hetimi për vrasje të ndodhur pak kohë më parë, por nuk dihet nëse Amir Locke kishte lidhje me ngjarjen. /euronews

Amir Locke

 

Exit mobile version