Protestat kundër grusht shtetit në Sudan, ushtria vret 3 persona dhe plagos 80 të tjerë

Të paktën tre protestues u vranë dhe rreth 80 të tjerë u plagosën nga të shtënat me armë nga ushtria para selisë së ushtrisë sudaneze në kryeqytetin Khartoum, transmeton Anadolu Agency (AA).

Protestat u mbajtën në përgjigje të arrestimit nga ushtria të kryeministrit Abdalla Hamdok dhe anëtarëve të qeverisë civile sot më herët në kryeqytetin Khartoum.

Sipas Komitetit Qendror të Mjekësve Sudanezë, forcat e sigurisë qëlluam me plumba të vërtetë ndaj demonstruesve.

Ministria e Kulturës dhe Informacionit tha se ushtria e arrestoi Hamdok-un pasi ai refuzoi të mbështesë atë që ai e përshkroi si “grusht shtet”.

Sot më vonë, kreu i këshillit ushtarak në pushtet, gjenerali Abdel-Fattah al-Burhan, shpalli gjendje të jashtëzakonshme dhe shpërndau Këshillin Sovran, i cili u formua për të udhëhequr vendin pas rrëzimit të presidentit Omar al-Bashir në vitin 2019.

Pas një grusht shteti të dështuar muajin e kaluar, në Sudan shpërthyen tensione të thella midis ushtrisë dhe administratës civile mes protestave të fundit rivale në Khartoum.

Para shpërbërjes, Sudani administrohej nga një Këshill Sovran i përbërë nga autoritetet ushtarake dhe civile, i cili mbikëqyri periudhën e tranzicionit deri në zgjedhjet e planifikuara për në vitin 2023, si pjesë e një pakti të pasigurt për ndarjen e pushtetit midis ushtrisë dhe koalicionit ‘Forcat për liri dhe ndryshim’. /aa