Protestuesit në Sri Lankë djegin shtëpitë e liderëve

Protestuesit në Sri Lankë kanë djegur disa shtëpi që i takojnë liderëve të vendit, raporton BBC.

Dhuna të hënën mbrëma i ka vënë kapak një dite me trazira gjatë të cilës kryeministri i Sri Lankës, Mahinda Rajapaksa, dha dorëheqje pas protestave masive për mënyrën se si Qeveria e menaxhoi krizën ekonomike.

Por dorëheqja nuk qetësoi protestuesit, që tentuan të futeshin në rezidencën e kryeministrit derisa ai ishte ende aty.

Shtatë persona kanë vdekur e më tepër se 190 janë lënduar që nga protestat e të hënës.

Është zgjatur ora policore deri të mërkurën në mëngjes, ndërsa autoritetet po tentojnë të qetësojnë situatën.

Shumë protestues ende po bëjnë thirrje që presidenti Gotabaya Rajapaksa, vëllai i Mahindas, po ashtu të jap dorëheqje. /koha