Një studim zbulon se tensioni ndërpret automatizmin e lëvizjeve, duke i shndërruar në fillestarë
Edhe sportistët më të mirë bëjnë gabime. Kujtoni pak penalltinë e famshme të humbur të Roberto Baggios, që i kushtoi Italisë titullin e Kupës së Botës 1994, apo katër gjuajtjet e lira të humbura të Nick Anderson në ndeshjen e parë të finales së NBA-së të vitit 1995.
Ato janë gjuajtje të provuara mijëra herë dhe, në shumicën e rasteve, të suksesshme. Atëherë, çfarë ndodh në ato momente?
Një ekip nga Universiteti Shtetëror i Misisipit bëri këtë pyetje, duke arritur në përfundimin se presioni luan një rol kyç duke çrregulluar automatizmin e lëvizjeve të lojtarëve. Thënë shkurt: ata mendojnë shumë.
Studiuesit monitoruan njëkohësisht lëvizjet e trupit dhe aktivitetin e trurit të lojtarëve fillestarë dhe atyre të nivelit të ndërmjetëm në basketboll për 50 goditje secili. Pastaj analizuan mekanikën e këtyre lëvizjeve dhe regjistruan sinjalet nervore që i rregullonin ato.
Në goditjet e suksesshme, lojtarët treguan modele motorike më të qëndrueshme dhe të koordinuara, me këmbë të mbështetura fort në tokë dhe më pak ndryshueshmëri në lëvizjet e kyçeve të dorës dhe bërrylit.
Për më tepër, aktiviteti i trurit ishte më i qëndrueshëm dhe i “sintonizuar” me detyrën. Në të kundërt, në goditjet e humbura, trupi vazhdoi të korrigjohej gjatë ekzekutimit dhe truri dukej i angazhuar në vlerësimin dhe rregullimin e lëvizjeve në kohë reale.
Sportistët e mëdhenj nuk mendojnë për çdo lëvizje. Ata veprojnë me “autopilot“, duke u mbështetur në lëvizje të përsosura përmes mijëra përsëritjeve. Kjo pakëson luhatjet dhe truri punon me më shumë efikasitet. Dhe ja ku qëndron problemi: nën presion, gjatë një gare të rëndësishme, ky stabilitet mund të shkatërrohet.
Sportisti kaplohet nga tepria e mendimeve, duke monitoruar dhe korrigjuar me vetëdije lëvizjet e tij, ashtu siç bënte kur ishte fillestar. Ky kthim te kontrolli i vetëdijshëm prish automatizmin e ndërtuar gjatë viteve të stërvitjes dhe përkeqëson performancën.
“Nëse atletët mësojnë të dallojnë se si reagojnë truri dhe trupi i tyre nën presion dhe stërviten për t’u rikthyer në një gjendje më të qëndrueshme, ata mund të gjejnë rrugën drejt një rezultati më të qëndrueshëm“- thotë David Van den Heever, një nga autorët e studimit.
Qëllimi, thekson ai, nuk është vetëm të mësohet lëvizja e saktë, por edhe të kuptohet se kur duhet të ndalet kontrolli i saj. /teshesh
