Publikohet përgjimi i dytë i Bedri Shabanit, gjatë bisedës konfirmohet takimi fizik me oficerin e BIA-s

Një aksion i gjerë i realizuar nga AKI, Policia e Kosovës dhe Prokuroria çoi në arrestimin e dy personave, të dyshuar për spiunazh.

Njëri ndër të arrestuarit nën dyshimin për spiunazh tek BIA serbe është qytetari i Kosovës, Bedri Shabani.

Në përgjimin e dytë që është publikuar nga “The Geopost”, Bedri Shabani flet me oficerin e BIA-s, Srdjan Rosic, bisedë e cila konfirmon se ata janë takuar edhe fizikisht pak ditë më parë.

Sipas të dhënave, takimi fizik i përbashkët në mes të Shabanit dhe oficerit të BIA-s është realizuar në qytetin e Nishit, Serbi, më 17.05.2023.

Sipas telefonatës, e realizuar më 23.05.2023, mësohet se Rosic, ka lidhje profesionale me “mikun tjetër”, Bogoljub Janicijevic-in, i cili ka qenë shefi i të ashtuquajturit “Sekretariatit të Punëve të Brendshme” për Ferizaj në vitin 1999.

Po ashtu gjatë kësaj bisede merret vesh se ditën e takimit me BIA-n në Nish të Serbisë, Shabani ia kishte dhënë tri tekste.

Audio është e censuruar dhe nuk dihet se çfarë tekstesh janë ato! Për këtë, Shabani e kishte pyetur “nëse kishte pasur rastin t’i shihte më parë?”, kurse Rosic i përgjigjet me “jo”.