Ballina Lajmet Kosovë PZAP thotë se ka pranuar 313 ankesa, kanë të bëjnë me fushatën...

PZAP thotë se ka pranuar 313 ankesa, kanë të bëjnë me fushatën zgjedhore dhe manipulimin e votave

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka pranuar gjithsej 313 ankesa nga zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Kështu bëri të ditur në një prononcim për Telegrafin kryesuesi i sekretariatit të PZAP-it, Mulë Desku.

Ai tha se prej këtyre ankesave, 216 kanë të bëjnë me fushatën zgjedhore dhe 34 ankesa kanë të bëjnë me manipulim të votave jashtë Kosovës.

“Prej datës 21.09.2017 kur ka filluar fushata zgjedhore e subjekteve politike për Zgjedhjet Lokale të 22 tetorit 2017 deri më datën 22.10.2017, në PZAP- janë dorëzuar, respektivisht PZAP-i ka pranuar 313 ankesa. Prej tyre, 216 ankesa kanë të bëjnë me Fushatën Zgjedhore, 34 ankesa kanë të bëjnë me manipulim të votave jashtë Kosovës, si dhe 63 ankesa kanë të bëjnë me thyerjen e heshtjes zgjedhore në ditën e heshtjes zgjedhore dhe në ditën e zgjedhjeve”, theksoi Desku.

Ndërsa, pas mbylljes së qendrave të votimit, sipas tij, janë dorëzuar shtatë ankesa.

“Pas mbylljes së qendrave të votimit, deri më tani në PZAP janë dorëzuar 7 ankesa. Nga BIRNI, LVV dhe KDI janë paraqitur më së shumti ankesa”, ka thënë kryesuesi i sekretariatit të PZAP, Mulë Desku.

Exit mobile version