Ballina Lajmet Rajon dhe Botë “Qëndroni me njëri-tjetrin”, heroi global Ahmed bën thirrje për përqafimin e njerëzimit...

“Qëndroni me njëri-tjetrin”, heroi global Ahmed bën thirrje për përqafimin e njerëzimit pas të shtënave në Australi

Heroi global Ahmed Al Ahmed ka bërë thirrje për t’i “harruar të gjitha gjërat e këqija” dhe për përqafimin e njerëzimit pas të shtënave në plazhin Bondi në Australi, raporton Anadolu.

“Qëndroni me njëri-tjetrin, të gjithë njerëzit”, tha Ahmed në një mesazh për njerëzit anembanë botës që i dhuruan rreth 2,5 milionë dollarë australianë (1,65 milion dollarë), duke shtuar, “Dhe harroni gjithçka të keqe (nga e kaluara)”.

Ahmed bëri bujë globale dhe fitoi zemrat e njerëzve në mbarë botën për guximin e tij pasi u hodh mbi njërin nga dy sulmuesit të dielën e kaluar përgjatë plazhit Bondi në Sydney, qytet më i madh i Australisë për nga popullsia dhe kryeqytet i Uellsit të Ri Jugor.

15 persona u vranë në sulm, ndërsa njëri nga dy sulmuesit u qëllua për vdekje dhe tjetri është në gjendje kritike dhe po trajtohet në spital.

Veprimi i Ahmedit u përshëndet për shpëtimin e jetëve.

Kryeministri australian, Anthony Albanese, e shpalli Ahmedin e lindur në Siri “më të mirin për vendin tonë”.

Ahmed, i cili u shpërngul në Australi në vitin 2006 dhe është baba i dy vajzave, u qëllua katër deri në pesë herë në shpatullën e majtë dhe po merr trajtim në Spitalin St. George në Sydney.

Të enjten, influencuesi kanadez i rrjeteve sociale, Zachery Dereniowski, i dorëzoi Ahmedit një çek prej 1,65 milion dollarësh nga donacionet publike të mbledhura përmes GoFundMe, sipas një videoje të takimit të tyre të shpërndarë në Instagram.

“(A) e meritoj këtë?”, e pyeti Ahmed Dereniowskin, i njohur gjithashtu si MDMotivator. “Çdo qindarkë”, theksoi Dereniowski.

Rreth 43 mijë persona bënë donacione për të mbështetur Ahmedin dhe familjen e tij.

“Vazhdoni të shpëtoni jetë”, tha Ahmed në mesazhin e tij.

“Kur unë shpëtova njerëzit, e bëra nga zemra”, tha Ahmed.

“Të gjithë ishin të lumtur. Ata e meritojnë të shijojnë (gjërat). Dhe është e drejta e tyre”, shtoi ai

Australia është “vendi më i mirë në botë”, tha 43-vjeçari Ahmed.

Sipas GoFundMe, faqja e donacioneve për Ahmedin pa “një shpërthim dashurie, pas veprimeve të tij heroike në plazhin Bondi”.

“Ti je një hero absolut”, i tha Dereniowski Ahmedit, i cili po shërohej në shtratin e spitalit.

Exit mobile version