Qeveria e Irakut njoftoi se refuzon normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin

Qeveria irakiane tha se ka refuzuar takimet për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Qeveria irakiane refuzon absolutisht takimet e paligjshme të disa përfaqësuesve fisnorë në Erbil nën sloganin e normalizimit me Izraelin”, tha zyra e kryeministrit irakian në një deklaratë.

Duke theksuar se pjesëmarrësit në takimet e përmendura përfaqësojnë vetëm pikëpamjet e tyre, dhe jo popullin irakian, shtohet se takimet në fjalë kishin për qëllim nxitjen e ndarjes sektare para zgjedhjeve të parakohshme të cilat do të mbahen më 10 tetor.

“Gjithashtu, është i papranueshëm parashtrimi i idesë së normalizimit në aspektin ligjor, kushtetues dhe politik. Qeveria irakiane ka deklaruar edhe më parë qëndrimin historik dhe të pandryshueshëm të Irakut për luftën palestineze, duke mbrojtur të drejtat e popullit palestinez, me Kudsin si kryeqytetin e Shtetit Palestinez, dhe se sulmet sioniste duhet përfundimisht të ndalen”, thuhet në njoftim.

Grupi që dyshohet se i përkiste një fisi në Erbil dje kërkoi që Iraku të vendoste marrëdhënie me Izraelin si disa shtete të tjera arabe.

Marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve u nënshkrua midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) dhe Bahreinit në një ceremoni të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë më 15 shtator 2020.

Qeveria e Sudanit gjithashtu vendosi të normalizojë marrëdhëniet me Izraelin më 23 tetor 2020, pasi presidenti i atëhershëm amerikan Donald Trump hoqi Sudanin nga lista e “vendeve që mbështesin terrorizmin”.

Pas Sudanit, Maroku gjithashtu arriti marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin më 10 dhjetor 2020. /aa