Qeveria libaneze konfirmon miratimin e Hezbollahut për vendosjen e ush’trisë në jug

Qeveria libaneze konfirmoi sot se Hezbollahu ka rënë dakord të lejojë ushtrinë të zgjerojë autoritetin e saj në rajonet jugore të vendit, transmeton Anadolu.

Qeveria theksoi se ushtria është entiteti i autorizuar për të zbatuar Rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit me Izraelin.

Ministri i Informacionit Ziad Makary tha në një konferencë shtypi pas një takimi të kabinetit në Bejrut se kabineti do të mblidhet të shtunën e ardhshme në qytetin jugor të Tirit. Ai vuri në dukje se komandanti i ushtrisë do të marrë pjesë për të paraqitur planin e ushtrisë për dislokimin në jug.

I pyetur për gatishmërinë e ministrave të Hezbollahut për të pranuar dislokimin dhe autoritetin e ushtrisë sipas marrëveshjes së armëpushimit, Makary u përgjigj: “Sigurisht, kjo është një marrëveshje e miratuar nga kabineti dhe ka miratimin e qeverisë libaneze dhe kryetarit të parlamentit Nabih Berri”.

Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Naim Qassem, konfirmoi në një deklaratë me video të premten e kaluar se koordinimi midis grupit të tij dhe ushtrisë “do të jetë në një nivel të lartë për të zbatuar marrëveshjen e armëpushimit”.

“Perspektiva jonë për ushtrinë libaneze është se ajo është një ushtri kombëtare si në udhëheqje ashtu edhe në personel, dhe do të vendoset në jug në atdheun e saj, që është edhe atdheu ynë”, tha ai.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me aftësinë e ushtrisë për t’u vendosur në jug, Makary tha: “Ne kemi besim te ushtria, e cila ka për detyrë të zbatojë Rezolutën 1701 me miratimin kolektiv të qeverisë dhe nuk ka alternativë”.

Rezoluta 1701, e miratuar më 11 gusht 2006, bën thirrje për ndalimin e plotë të armiqësive midis Hezbollahut dhe Izraelit dhe krijimin e një zone pa armë midis Linjës Blu – kufiri de fakto midis Libanit dhe Izraelit – dhe Lumit Litani në Libanin jugor, me përjashtime për ushtrinë libaneze dhe misionin paqeruajtës të OKB-së (UNIFIL).

Sipas kushteve të armëpushimit, Izraeli duhet të tërheqë forcat e tij në jug të Linjës Blu në një mënyrë me faza, ndërsa ushtria libaneze vendos forcat në Libanin jugor brenda një maksimumi prej 60 ditësh.

Marrëveshja hyri në fuqi më 27 nëntor, duke i dhënë fund luftimeve më shumë se 14-mujore midis ushtrisë izraelite dhe grupit të rezistencës libaneze.

Zbatimi do të mbikëqyret nga SHBA-ja dhe Franca, por detajet mbi mekanizmat e zbatimit mbeten të paqarta.

Sipas një raporti të Anadolus bazuar në të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë, të paktën 14 persona janë vrarë dhe 13 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite që nga java e kaluar.