Qeverisa palestineze reagon ndaj vrasjes së gruas palestineze nga forcat izraelite

Qeveria palestineze dhe lëvizjet politike në vend reaguan ashpër ndaj të shtënave dhe vrasjes së një gruaje palestineze 31-vjeçare këtë mëngjes nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i qeverisë, Ibrahim Mulhim, në rrjetet sociale shkroi se “vrasja e palestinezes, Gufran Veresane, është e njëjtë me martirizimin e (gazetares së Al Jazeera) Shireen Abu Akleh dhe të tjerëve”.

“Asnjëri prej tyre nuk do të falet dhe nuk do të përfundojë. Herët ose vonë autorët do të dalin para drejtësisë”, shtoi ai.

Sipas Mulhim, kryeministri palestinez, Mohammad Shtayyeh, gjithashtu dënoi këtë “krim të tmerrshëm” dhe deklaroi se Izraeli është plotësisht përgjegjës për vdekjen e Veresane-s, e cila u qëllua për vdekje në qytetin Hebron mëngjesin e sotëm.

Shtayyeh gjithashtu i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që “të zbatojë ligjin ndërkombëtar kundër Izraelit në mënyrë që të dënohet për krimet e saj”.

Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme Palestineze vrasja e gruas palestineze u cilësua si “një krim i urryer i kryer në shesh”. Në deklaratë, ku theksohet “dënimi më i fortë” i vrasjes së Veresane-s, ministria tha se vrasja ishte pjesë e krimeve të kryera nga ushtarët izraelitë.

“Një konfirmim i qëndrimit të përgjakshëm të ushtrisë izraelite”

Departamenti i të Drejtave të Njeriut i Organizatës për Çlirimin e Palestinës deklaroi se ushtari izraelit qëlloi me armën e tij për të vrarë sërish mëngjesin e sotëm dhe i bëri thirrje të gjithë botës që “të qëndrojë kundër ekzekutimeve sistematike të kryera nga Izraeli” në emër të njerëzimit dhe drejtësisë.

Në një deklaratë të bërë nga Hamasi, theksohet se forcat izraelite penguan ekipet e ambulancës dhe mjekësore që të arrinin tek gruaja e plagosur palestineze pas incidentit dhe u shpreh se kjo situatë “konfirmon qëndrimin gjakatar të ushtrisë izraelite dhe shpërfill të gjitha vlerat njerëzore dhe ligjet.”

Në një deklaratë të bërë nga Lëvizja Xhihadiste Islamike, thuhet se forcat izraelite vranë qëllimisht gratë palestineze.

Gruaja palestineze u qëllua për vdekje nga ushtarët izraelitë në Bregun Perëndimor

Në një deklaratë të lëshuar nga Ministria Palestineze e Shëndetësisë në mëngjes u njoftua se “31-vjeçarja Gufran Veresane vdiq si pasojë e një plumbi të qëlluar nga ushtarët izraelitë pranë kampit të refugjatëve Al-Arub në veri të Hebronit”.

Nga ana tjetër, ushtria izraelite pretendoi se gruaja palestineze “ka tentuar të sulmojë me thikë”.

Në deklaratën e bërë nga Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, thuhet se ekipet mjekësore janë penguar të arrijnë tek të plagosurit për rreth 20 minuta nga ushtarët izraelitë.

Vrasja e gazetares së Al Jazeera, Abu Akleh nga forcat izraelite

Shireen Abu Akleh, 51 vjeçe, një gazetare e cila punonte për televizionin Al Jazeera me bazë në Katar, u vra nga zjarri i ushtarëve izraelitë më 11 maj, teksa po ndiqte sulmin e forcave izraelite në kampin e refugjatëve Jenin në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Reagime ka shkaktuar vrasja e Abu Akleh nga ushtarët izraelitë me plumba të vërtetë teksa ishte në krye të detyrës dhe teksa kishte veshur një jelek prej çeliku me të shkruar “Press”. /aa