Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Qindra mijëra persona largohen nga shtëpitë në Liban pas sulmeve të ushtrisë...

Qindra mijëra persona largohen nga shtëpitë në Liban pas sulmeve të ushtrisë izraelite

Qindra mijëra banorë në Liban po braktisin shtëpitë e tyre pasi ushtria izraelite ka lëshuar urdhra për zhvendosje të detyruar. Lëvizjet masive të popullsisë nuk po ndodhin vetëm në jug të vendit, por edhe në kryeqytetin Bejrut.

Në periferi të Bejrutit, veçanërisht në zonën Dahiyeh, e cila konsiderohet bastion i Hezbollah-ut, banorët po marrin çfarë të munden dhe po drejtohen drejt zonave që i konsiderojnë më të sigurta. Kjo zonë ishte shënjestër e sulmeve të shumta gjatë luftës së fundit në vitin 2024 dhe është goditur disa herë edhe pas saj.

Megjithëse në nëntor të vitit 2024 u arrit një armëpushim, situata mbetet e tensionuar. Izraeli vazhdon sulmet, duke akuzuar Hezbollahun për riarmatim dhe shtetin libanez për dështim në çarmatimin e grupit.

Gjendja në terren raportohet kaotike. Situata është rënduar edhe nga fakti se ndodhemi në muajin e Ramazanit, kur besimtarët muslimanë agjërojnë gjatë ditës. Në vend që të përgatiteshin për syfyr, shumë familje po kërkojnë strehim për t’u mbrojtur nga përshkallëzimi i dhunës. /mesazhi

Exit mobile version