Ballina Artikuj Qytetërimi Perëndimor dhe problemi i pranimit të tjetrit

Qytetërimi Perëndimor dhe problemi i pranimit të tjetrit

Hoxhë Halil Avdulli

Koncepti i qytetërimit përbën një nga nocionet themelore në studimet historike, sociologjike dhe kulturore. Megjithatë, kuptimi i tij nuk ka qenë i pandryshueshëm, por ka pësuar transformime të thella në varësi të konteksteve historike dhe ideologjike.
Në mendimin perëndimor, ky koncept u zhvillua fillimisht si një kategori normative, e lidhur ngushtë me përvojën evropiane, për t’u shndërruar më vonë në një nocion analitik që synon përshkrimin dhe krahasimin e formave të ndryshme të organizimit shoqëror dhe kulturor. Në kuptimin e tij gjuhësor, fjala qytetërim nënkupton të kundërtën e barbarisë dhe shpreh një fazë të përparuar të zhvillimit shoqëror.
Ky kuptim lidhet ngushtë me kontekstin historik të shekullit XVIII, i cili përbën pikën kyçe në formësimin e konceptit modern të qytetërimit. Në këtë periudhë, qytetërimi filloi të kuptohej si një mënyrë jetese shoqërore e karakterizuar nga respektimi i ligjit, sjellja morale, zhvillimi urban dhe përparimi ekonomik e kulturor. Intelektualët dhe mendimtarët e Iluminizmit, veçanërisht në Francë, si Volteri dhe Mirabo, luajtën një rol themelor në konsolidimin e këtij koncepti.
Ky kuptim u përvetësua më pas edhe nga mendimi anglez dhe u përdor gjerësisht në kontekstin e zgjerimit kolonial perëndimor. Si pasojë, termi qytetërim u shndërrua në një tregues që identifikohej drejtpërdrejt me Evropën: Evropa përfaqësonte qytetërimin dhe qytetërimi identifikohej me Evropën. Ai shënonte një stad të avancuar të urbanizimit, kontrollit mbi natyrën, sundimit të ligjit, përhapjes së ndriçimit intelektual dhe edukimit, si dhe rafinimit të aftësive mendore dhe kulturore të njeriut.
Në këtë mënyrë, qytetërimi u konceptua në kundërvënie me barbarinë: Evropa përfaqësonte qytetërimin, ndërsa popujt e tjerë konsideroheshin si barbarë ose paraqytetërorë. Kjo qasje reflektohet edhe në thënien e një antropologu anglez, Klafit, sipas të cilit qytetërimi është kriteri me të cilin maten popujt: nëse një shoqëri jeton sipas mënyrës evropiane, në nivelin e jetesës dhe të menduarit të saj, ajo konsiderohet e qytetëruar; përndryshe, i përket barbarisë dhe fazës paraqytetëruese.
Për këtë arsye, gjatë shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX, Evropa konsiderohej si i vetmi qytetërim, ndërsa popujt e tjerë shiheshin si të privuar nga çdo formë qytetërimi. Kjo u reflektua edhe në përdorimin e termit civilization në njëjës, duke nënkuptuar ekzistencën e një qytetërimi të vetëm dhe jo të qytetërimeve të shumëfishta.
Megjithatë, me fillimin e shekullit XIX dhe me lindjen e antropologjisë si disiplinë shkencore që studion kulturat e popujve joevropianë, kjo qasje filloi të vihej në dyshim. Studiuesit zbuluan se edhe shoqëritë joevropiane zotëronin kultura të zhvilluara dhe forma të ndryshme përparimi dhe organizimi shoqëror. Si rrjedhojë, koncepti i qytetërimit filloi të përdorej në shumës, duke pranuar ekzistencën e qytetërimeve të ndryshme. Evropa nuk ishte më qytetërimi i vetëm, por një qytetërim ndër të tjerët, dhe as modeli i vetëm i përparimit dhe edukimit.
Në këtë transformim konceptual kontribuoi ndjeshëm tradita gjermane e mendimit. Ndryshe nga tradita franceze dhe angleze, kultura gjermane priret drejt dallimit dhe saktësimit konceptual. Mendimtarët gjermanë propozuan përdorimin paralel të dy termave: civilization dhe culture. Sipas këtij këndvështrimi, qytetërimi shpreh aspektin shoqëror, urban, material dhe industrial, ndërsa kultura i referohet dimensionit mendor, shpirtëror, etik dhe njerëzor të përvojës shoqërore. Kjo ndarje synonte vendosjen e një ekuilibri mes dimensionit material dhe atij shpirtëror të zhvillimit njerëzor.
Kjo traditë e dallimit mes aspektit material dhe atij shpirtëror çoi në idenë se çdo komb apo shoqëri ka qytetërimin e vet, të veçantë nga të tjerët. Kjo qasje kontribuoi në daljen nga eurocentrizmi dhe në zgjerimin e kuptimit të qytetërimit, duke pranuar pluralitetin dhe larminë e qytetërimeve.
Në këtë kontekst, filozofi gjerman Oswald Spengler, në veprën e tij Rënia e Perëndimit, e trajtoi qytetërimin si shprehje të kulturave të larta. Ai i konceptoi qytetërimet si struktura komplekse që i nënshtrohen një procesi organik zhvillimi dhe rënieje. Një tjetër mendimtar i rëndësishëm, Norbert Elias, e thelloi këtë qasje në veprën Procesi i qytetërimit, ku argumenton se qytetërimi përfshin dy rrugë paralele: dimensionin shpirtëror-kulturor dhe atë material-shoqëror.
Nga kjo qasje u ndikua edhe Samuel Huntington, i cili në librin Përplasja e Qytetërimeve e përkufizoi qytetërimin si kornizën më të gjerë kulturore të përkatësisë së kombeve. Sipas tij, dallimet thelbësore mes qytetërimeve janë kulturore dhe mendore, dhe për këtë arsye, kur flasim për qytetërime, në thelb flasim për kultura të mëdha që prodhojnë sisteme të ndryshme shoqërore, materiale dhe institucionale.
Megjithëse Kupa e Botës FIFA 2022 në Katari shfaqi tensione kulturore që shoqëruan konceptin perëndimor për kulturat e tjera. Gjatë këtij eventi global, një pjesë e opinionit publik dhe mediave perëndimore shfaqen vështirësi në pranimin e normave kulturore, fetare dhe shoqërore që vendi organizator vendosi, veçanërisht në lidhje me çështje të moralit publik, veshjes, konsumit të alkoolit dhe shprehjeve simbolike.
Ky reagim nxori në pah një kontradiktë të rëndësishme në diskursin perëndimor mbi qytetërimin dhe pluralizmin kulturor. Ndërsa në nivel teorik pranohet ekzistenca e qytetërimeve dhe kulturave të ndryshme, në praktikë vërehet se modeli perëndimor shpesh vazhdon të funksionojë si standard implicit vlerësimi, duke pritur që shoqëritë e tjera të përshtaten me normat dhe vlerat e tij. Rasti i Katarit dëshmon se eurocentrizmi nuk është vetëm një fenomen historik, por mbetet i pranishëm edhe në diskursin bashkëkohor, veçanërisht kur kultura joperëndimore ushtrojnë sovranitet simbolik dhe normativ në hapësira globale.

Hoxhë Halil Avdulli

Exit mobile version