Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE) në vitin 2030 është absolutisht i mundshëm, raporton Anadolu.
Në Shqipëri po mbahet Forumi Ekonomik i Tiranës, ku i pranishëm në ceremoninë e hapjes ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë.
Në fjalën e tij në hapje të edicionit të pestë të forumit, Rama theksoi se po e kthejnë vendin në një korridor zhvillimi nga veriu në jug dhe sipas tij Shqipëria është gati për investime të cilësisë së lartë dhe afatgjata.
“Në një Evropë që po rimendon arkitekturën e saj të sigurisë dhe ekonomisë, vendi ynë qëndron si një shtyllë stabiliteti, një partner i besueshëm dhe një ekonomi në rritje. Ne kemi hapur të gjithë kapitujt e negociatave me BE në një kohë rekord, e kemi dyfishuar buxhetin tonë, PBB-në tonë, ndërkohë që deficiti ynë është në nivelet më të ulëta të mundshme. Gjithashtu, kemi edhe një sektor në rritje të turizmit, gjithashtu kemi edhe një sektor, ku po rinovojmë infrastrukturën tonë nga portet deri tek hekurudhat dhe po shtyjmë transformimin digjital me një shpejtësi marramendëse”, tha ai.
Kryeministri Rama u shpreh se revolucioni digjital ka ndryshuar mënyrën se si qeverisin dhe mënyrën se si po operon biznesi.
“Evropa 2030 nuk është shpresë për ne, por është destinacion dhe busulla jonë është e qartë drejt Bashkimit Europian. Negociatat janë të hapura, kapitujt po ecin përpara dhe objektivi ynë është realist dhe i arritshëm, patjetër me një kusht: që Evropa të mbajë premtimin dhe që së bashku ne t’i përmbahemi kalendarit për të cilin jemi marrë vesh bashkërisht. Anëtarësimi i Shqipërisë në 2030 është absolutisht i mundshëm dhe nuk jemi këtu për të pritur për Evropën, por që ta ndërtojmë Evropën këtu”, tha Rama.
Ai shtoi ndër të tjera se infrastruktura moderne do ta kthejë Shqipërinë në një kryqëzim logjistik mes Ballkanit dhe Evropës.
Pjesë e forumit ishte ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila në fjalën e saj ka theksuar se për Shqipërinë pozicioni i vetëm koherent strategjik mbetet kontributi për sigurinë, zhvillimin dhe integrimin rajonal dhe atë kontinental.
Sipas njoftimit nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Spiropali theksoi se “Stabiliteti rajonal mbetet një nga shtyllat kryesore të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Shqipërisë, duke rikujtuar mbështetjen e vendit për dialogun Kosovë–Serbi dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në rajon”.
Diskutimet në furim fokusohen sipas organizatorëve mbi çështje që lidhen me ndryshimet globale, ngritjen e Shqipërisë si një qendër ekonomike rajonale, rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe sfidat kryesore të investimeve.
Forumi Ekonomik i Tiranës organizohet nga Forumi Ekonomik i Delfit, ndërkohë pjesë janë zyrtarë, sipërmarrës dhe ekspertë ndërkombëtarë të ekonomisë.
