Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se përfshirja e Shqipërisë në Bordin e Paqes pas ftesës është një nder i veçantë dhe kjo është një tjetër mundësi për të dhënë kontribut për paqen, raporton Anadolu.
Kuvendi i Shqipërisë po diskuton sot në një seancë të veçantë projektligjin për ratifikimin e marrëveshjen për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes, pas ftesës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Gjatë fjalës në seancën parlamentare, Rama u shpreh se Kuvend mblidhet për të ratifikuar një akt të vullnetit të mirë.
“Ne, shumica kuvendore e Shqipërisë për tre mandate të plota me radhe e kemi bërë zëdhënësin dhe punëtorin e paqes në këtë rajon të trazuar edhe kur kjo është dukur dhe madje është komentuar deri edhe si tradhti. Një etiketë që në fakt është një provë vendimtare e paqe dashjes për shumëkënd që ka punuar për paqen në historinë e kësaj bote”, u shpreh Rama.
Rama theksoi se e kanë çuar Shqipërinë e përkushtuar për paqen deri dhe në krye të OSBE-së apo në tryezën e Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara, sipas tij, ku kanë nderuar flamurin dhe kombin shqiptar.
Ai shtoi se Shqipëria tjetër iu ka hequr shqiptarëve sëkëlldinë e emrit që “pas shume vitesh nëpërkëmbje nëpër rrugët e Evropës e shqiptojnë sot me kokën lartë në çdo gjuhë të Evropës”.
“Pikërisht sot kur bota është trazuar keq dhe paqja është vënë në një presion të paparë nga të katra anët, Shqipëria e çmuar ndërkombëtarisht prej disa vitesh ftohet nga personalisht presidenti i Shteteve të Bashkuara për t’u bërë anëtar themelues i një organizmi të ri ndërkombëtar të krijuar prej tij me emrin kuptimplotë Bordi i Paqes”, tha Rama.
Ai shtoi më tej se “Ky është një nder i veçantë dhe kjo është një tjetër mundësi për të dhënë kontribut për paqen, sepse na jepet mundësia të vazhdojmë të rritemi si shtet duke zgjeruar dijen dhe forcuar vetëdijen tonë si zëdhënës dhe si punëtor të paqes”.
“Dua t’ju informoj se të hënën e ardhshme do të kemi një tjetër nder të jashtëzakonshëm, do i drejtohem Knesset-it, Parlamentit të Izraelit, si kryeministër i Shqipërisë në të njëjtin format që iu rezervua para disa kohësh presidentit të Shteteve të Bashkuara si dhe një numri tejet të kufizuar udhëheqësish të huaj në historinë e atij Parlamenti”, tha Rama.
Pas diskutimeve të deputetëve, Kuvendi i Shqipërisë pritet të votojë projektligjin për ratifikimin e mmarrëveshjes për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes.
Disa ditë më parë, kryeministri Edi Rama konfirmoi se Trumpi ka dërguar ftesë për përfaqësimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, sipas tij si anëtar themelues. Këtë ftesë Rama e konsideroi si një “respekt e vlerësim krejt të posaçëm” nga Trumpi.
