Raportet: Trump hodhi poshtë planin izraelit për të vrarë liderin suprem të Iranit, Khamenei

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka refuzuar një plan të Izraelit për të vrarë Udhëheqësin Suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, sipas disa raportimeve nga mediat ndërkombëtare.

Agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar dy zyrtarë amerikanë anonimë, raportoi se zyrtarë izraelitë e kishin informuar administratën Trump për një mundësi të fundit për të kryer atentatin ndaj Khameneit, por presidenti amerikan e kishte bllokuar planin.

Sipas një zyrtari të administratës Trump, “nuk ishte as diskutim që të goditej udhëheqja politike, përveç nëse Irani do të kishte vrarë ndonjë qytetar amerikan.”

Raportet janë konfirmuar edhe nga disa media të tjera të mëdha amerikane, përfshirë CNN, Associated Press, CBS News dhe NBC News, të cilat kanë pohuar se plani ekzistonte dhe se Trump i ishte kundërvënë ashpër këtij veprimi.

Ky zhvillim nënvizon tensionet e larta mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, si dhe kujdesin e mundshëm të administratës amerikane për të shmangur një përshkallëzim të drejtpërdrejtë në konflikt. /mesazhi