Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Raporti i BBC-së ngre dyshime për abuzime seksuale dhe tortura në burgje...

Raporti i BBC-së ngre dyshime për abuzime seksuale dhe tortura në burgje të drejtuara nga Emiratet në Jemen

Një video raport i BBC-së, i publikuar së fundmi dhe i shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, ka ngjallur reagime të shumta pasi hedh dritë mbi akuza për abuzime seksuale dhe tortura në burgje të dyshuara se drejtoheshin nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Jemen.

Sipas raportit, burgu ndodhej brenda një baze të mëparshme ushtarake të Emirateve dhe përdorej për ndalimin dhe torturimin e të burgosurve gjatë marrjes në pyetje, përfshirë përdorimin e abuzimit seksual si metodë presioni. Hetimi u realizua nga gazetarja britaniko-jemenase e BBC-së, Nawal Al-Maghafi, e cila vizitoi vendin dhe dokumentoi qelitë dhe hapësirat që dyshohet se shërbenin për marrje në pyetje.

Al-Maghafi tha se ekipi i BBC-së u ftua nga qeveria e Jemenit për të dokumentuar për herë të parë këto ambiente. Një ish-i burgosur, që foli në kushte anonimiteti, përshkroi trajtime çnjerëzore nga ushtarë emiratas, duke deklaruar se ishte rrahur dhe abuzuar seksualisht gjatë marrjeve në pyetje, deri në atë pikë sa kishte tentuar vetëvrasjen disa herë.

Në raport shfaqet edhe ministri i Informacionit i Jemenit, Moammar al-Eryani, i cili pranoi se qeveria e tij nuk kishte qenë në gjendje të verifikonte çfarë ndodhte në zonat nën kontrollin e Emirateve. Ai tha se vetëm pas rimarrjes së kontrollit mbi jugun e Jemenit u zbuluan këto burgje, për ekzistencën e të cilave më herët kishte pasur dëshmi nga viktimat.

BBC-ja njoftoi se ka kërkuar koment nga qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe, por nuk ka marrë përgjigje.

Akuza të tilla nuk janë të reja. Raporti i BBC-së përkon me hetime të mëparshme të agjencisë Associated Press, e cila në vitin 2017 raportoi për ekzistencën e dhjetëra qendrave të fshehta ndalimi në jug të Jemenit, ku të burgosurit i nënshtroheshin torturave dhe abuzimeve. Pas atyre raportimeve, autoritetet jemene kërkuan mbylljen ose dorëzimin e këtyre qendrave dhe disa të ndaluar u liruan.

Rikthimi i vëmendjes ndaj kësaj çështjeje vjen në një kohë kur në media dhe rrjete sociale po flitet për tensione të mundshme mes Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe lidhur me luftën në Jemen. /mesazhi

Exit mobile version