Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Tonino Picula, ka kritikuar ashpër programin skandaloz për krishtlindje në TV Informer në Beograd, në të cilin u lëshuan këngë çetnike.
Sipas xhirimeve që u bënë publike, redaktori Dragan Vuçiqeviq, i shoqëruar nga disa ministra, kënduan këngë çetnike. Të pranishëm në këtë skandal presidenti Aleksandar Vuçiq kryeparlamentarja Ana Bërnabiq, krimineli i luftës, Vojisllav Sheshel, ministri i Brendshëm Ivica Daçiq e shumë përfaqësues të tjerë.
“Ndeja” u organizua nga Dragan Ashanin, vrasës i dënuar, sipas gazetës “N1” në Serbi. Ai kishte kryer një vrasje më 1992 dhe ishte dënuar me 11 vjet burgim. I njohur me nofkën “Ashka”, ai kishte vrarë partneren e tij, atë kohë 18-vjeçare.
Duke marrë për bazë këto, Picula ka thënë se rasti ishte demonstrim i ri për distancim të Serbisë nga Bashkimi Evropian.
“Kjo ngjarje nuk duhet të konsiderohet befasi për askënd që ndjek skenën politike në Serbi. Është thjesht një tjetër demonstrim publik i gjithçkaje që mban Serbinë të prangosur në kohën kur regjimi i Serbisë së Madhe shkaktoi luftëra dhe vuajtje të mëdha njerëzish në ish-Jugosllavi”, ka thënë ai për “nacional.hr”.
I pyetur nëse Serbia po largohet nga BE-ja, Picula ka thënë se ky akt ka qenë vazhdimësi e shprehjes së kërcënimeve të Serbisë ndaj fqinjëve. Tek ka përmendur një nga një figurat që morën pjesë, përfshirë Sheshelin, Picula ka thënë se “thjesht me këta njerëz dhe politikë të tillë, nuk mund të ecet përpara në negociatat për anëtarësim në BE”.
Picula ka thënë se nuk pret që lidershipi i Serbisë të kërkojë falje pas ndejës skandaloze. Ai ka thënë se kërkon reagim më të ashpër nga Brukseli. /koha
