Raportuesja Speciale e OKB-së për Palestinën, Francesca Albanese, ka deklaruar se nuk do të heshtë përballë asaj që ajo e cilëson si gjenocid izraelit në Gaza, pavarësisht presioneve dhe sanksioneve ndaj saj.
Në një intervistë për Anadolu Agency në Londër, Albanese tha se po përballet me presion gjithnjë e më të madh, përfshirë akuza të rreme për antisemitizëm dhe mbështetje të terrorizmit, si dhe kërcënime personale. Ajo theksoi se këto veprime nuk do ta ndalin, pasi “e vërteta nuk mund të heshtet përballë një gjenocidi”.
Albanese nënvizoi rëndësinë e llogaridhënies dhe kërkoi që individët, bizneset dhe zyrtarët që kanë qenë të përfshirë ose bashkëpunëtorë në krime të mbajnë përgjegjësi ligjore. Ajo shtoi se shtetas nga disa vende evropiane kanë marrë pjesë në ushtrinë izraelite gjatë sulmeve në Gaza, çka sipas saj kërkon veprim edhe në nivel kombëtar.
Duke komentuar bojkotimin e Eurovision 2026 nga disa vende evropiane për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit, Albanese tha se është e papranueshme që Izraeli të përjashtohet vetëm në aktivitete kulturore, ndërsa vazhdon të trajtohet si anëtar i zakonshëm në arenën diplomatike. Ajo bëri thirrje që anëtarësimi i Izraelit në OKB të pezullohet.
Sipas saj, presioni popullor dhe mobilizimi i shteteve është thelbësor për t’i dhënë fund krimeve në Gaza. Që nga tetori i vitit 2023, mbi 70 mijë palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 170 mijë janë plagosur nga sulmet izraelite, shumica gra dhe fëmijë. /mesazhi
