Rastet COVID-19 në mbarë botën tejkalojnë shifrën 40 milionë

Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, numri i rasteve të koronavirusit të ri (COVID-19) në mbarë botën ka tejkaluar shifrën 40 milionë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Deri më tani, po ashtu jetën nga pandemia e kanë humbur mbi 1,11 milion njerëz.

SHBA-ja vazhdon të jetë vendi më i prekur nga pandemia, me mbi 8,15 milionë raste dhe pothuajse 220 mijë viktima.

Pastaj vijon India me mbi 7,55 milionë raste dhe mbi 114.600 vdekje. Brazili renditet i treti me mbi 5,22 milionë raste dhe mbi 153.600 vdekje.

Kina, ku edhe u shfaq virusi për herë të parë dhjetorin e kaluar, ka regjistruar afër 91 mijë raste dhe 4.739 viktima.

Grupi këshillues shkencor i Britanisë për emergjencat dje tha se më shumë se një vaksinë kundër koronavirusit do të jetë në dispozicion në fillim të vitit 2021.

Të premten, kompania farmaceutike amerikane Pfizder tha se mund të dijë efektivitetin e vaksinës së saj deri në fund të muajit tetor dhe se në javën e tretë të nëntorit po planifikon të paraqesë të dhëna të sigurisë mbi dozën përfundimtare të vaksinës në Administratën e Ushqimit dhe Barnave në SHBA.

Një vaksinë potenciale e zhvilluar nga Instituti i Produkteve Biologjike të Pekinit, i lidhur me grupin shtetëror kinez të farmaceutikës (Sinopharm), sipas një studimi të publikuar javën e kaluar, shkaktoi reagimin e antitrupave tek pranuesit.

Ndërkohë, të mërkurën e kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se një vaksine të dytë kundër koronavirusit, respektivisht EpiVakKorona, i është dhënë miratimi rregullator.

Në gjithë botën ka mbi 170 vaksina që janë kandidatë për COVID-19 dhe po gjurmohen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), por deri më tani, asnjëra nuk është aprovuar për përdorim të përgjithshëm.