Ballina Lajmet Kosovë Rasti i gruas shtatzënë – IPK rekomandon suspendimin e komandantit të Stacionit...

Rasti i gruas shtatzënë – IPK rekomandon suspendimin e komandantit të Stacionit policor të Lipjanit, një rreshteri dhe dy hetuesve

Inspektorati Policor i Kosovës bën të ditur se sipas detyrës zyrtare ka filluar hetim paraprak mbi veprimet e ndërmarra policore në rastet që policia ka trajtuar ndaj të dyshuarit Sokol Halili për “Dhunë në familje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës”.

Në njoftim thuhet se këto raste janë trajtuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë Ferizaj, përkatësisht Stacioni Policor Shtime si dhe Stacioni Policor Lipjan, që ishin të ngarkuar me zbatimin e Urdhër-mbrojtjes së palës së mbrojtur, Hamide Magashi.

“Hetuesit e IPK-së, si rezultat i ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore kanë arritur deri tek dyshimi i arsyeshëm, se lidhur me zbatimin e Urdhrit-mbrojtës nga ana e zyrtarëve te Stacionit Policor Lipjan, ka elemente të veprave penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘Falsifikimi i dokumentit zyrtar’.

Nga veprimet hetimore deri më tani si të dyshuar për këto vepra janë katër zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Lipjan (komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, një rreshter dhe dy hetues).

Andaj, duke marrë për bazë dyshimin për veprat penale në hetimin e këtij rasti, bazuar në autorizimet ligjore nga IPK është rekomanduar suspendimi i këtyre zyrtarëve policorë”, thuhet në njoftim.

IPK thekson se veprimet tjera hetimore do të ndërmerren nga hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit.

Exit mobile version