Reagime të shumta për vrasjen e familjes myslimane në Kanada

Rriten reagimet për vrasjen e një familjeje myslimane duke e ngarë automjetin mbi ta në qytetin London të Kanadasë.

Duke filluar nga Kryeministri i Kandasë, Justin Trudeau, shumë politikanë kanë dënuar këtë ngjarje.

Trudeau, në postimin në llogarinë e tij në rrjetet sociale pasi sulmi u bë viral në vend, deklaroi se ishte tmerruar kur dëgjoi lajmin.

“Ne jemi këtu për të dashurit e atyre që janë terrorizuar nga ky akt urrejtjeje. Ne jemi këtu edhe për fëmijën që u shtruan me plagë në spital. Zemrat tona janë me ju dhe ju do të jeni në zemrat tona ndërsa ju shëroheni. Komuniteti mysliman në London dhe myslimanët në të gjithë vendin, dijeni që ne jemi me ju. Islamofobia nuk ka vend në shoqërinë tonë. Kjo urrejtje është tinëzare, e ulët dhe duhet të ndalet.”

Edhe Erin O’Toole, udhëheqësi i Partisë Konservatore të opozitës, e përshkroi ngjarjen si një sulm terrorist.

“Vrasja e një familje për besimin e tyre mysliman është e tmerrshme dhe pikëlluese. Një urrejtje e tillë e poshtër dhe ekstreme duhet të dënohet. Një akt i tillë islamofobik i terrorizmit nuk ka vend në Kanada. Ne bashkohemi me komunitetin mysliman”, shkroi ai në median sociale.

Edhe Drejtuesi i Partisë së Re Demokratike, Jagmeet Singh, një nga partitë federale të opozitës, bëri një postim ku shkroi: “Lajmi është i frikshëm. Një familje myslimane doli për një shëtitje dhe ata u vranë për shkak të besimit të tyre. Ky është një akt i islamofobisë dhe i terrorizmit. Më shumë se kurrë, ne duhet të qëndrojmë me familjet, miqtë dhe fqinjët myslimanë kundër kësaj urrejtjeje të ndyrë.”

Kurse Saboor Khan, Presidenti i Shoqatës Myslimane të London, në një deklaratë për kanalin zyrtar të vendit, “CBC” tha: “Unë jam i shkatërruar. Kam frikë për fëmijët tanë, kam frikë për komunitetin tim, kam frikë për këdo që mban shami, për ata që mbajnë veshje tradicionale myslimane. Ishte një akt terrorizmi dhe me të vërtetë terrorizoi komunitetin tonë.”

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, në postimin e tij në llogarinë në “Twitter”, shprehu keqardhjen për ata që humbën jetën në sulmin ndaj familjes myslimane me origjinë pakistaneze në Kanada.

Duke e përshkruar sulmin si një “akt terrorist”, Han shkroi: “(Sulmi) zbuloi Islamofobinë në rritje në vendet perëndimore. Islamofobia duhet të refuzohet në mënyrë të përbashkët nga bashkësia ndërkombëtare.”

Edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Pakistanit, Shah Mahmud Qureyshi theksoi se sulmi ishte një akt terrorist i bazuar në urrejtje dhe islamofobi dhe theksoi se njerëzit në fjalë (viktimat) ishin në shënjestër sepse ishin myslimanë.

Nga ana tjetër, sonte në mbrëmje do të mbahet një ceremoni përkujtimore për familjen e katër personave që humbën jetën në qytetin London.

Nathanial Veltman (20 vjeç), duke e ngarë automjetin e tij mbi këmbësorët në trotuar më 6 qershor, në London të shtetit Ontario në Kanada, vrau 4 persona nga e njëjta familje, përfshi një vajzë 15-vjeçare si dhe plagosi rëndë një djalë 9 vjeç.

Veltman u kap dhe u arrestua në Bulevardin Cherryhill, rreth 6 kilometra nga vendngjarja. /trt