Reagon MSh-ja: Vaksinat kundër COVID-19 kanë afat të mjaftueshëm, përfshirë edhe ato që kanë ardhur nga Norvegjia

Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi për media ka siguruar qytetarët se vaksinat kundër COVID-19 kanë afat të mjaftueshëm përdorimi.

“Ministria e Shëndetësisë i siguron qytetarët e Republikës së Kosovës se të gjitha vaksinat kundër COVID-19, të cilat janë duke u dhënë në Kosovë, përfshirë edhe ato që janë marrë këtë javë donacion nga Mbretëria e Norvegjisë kanë afat të mjaftueshëm përdorimi dhe i kanë kaluar të gjitha procedurat e aprovimit për përdorim të sigurt”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Ministria ka theksuar se dezinformatat lidhur me afatin e përdorimit për vaksinat e pranuara nga Mbretëria e Norvegjisë, të bëra nga individë të ndryshëm, përveç që shkaktojnë pasiguri tek qytetarët në këtë kohë kur vaksinimi kundër COVID-19 ka fituar një dinamikë intensive, flasin edhe për mungesën e respektit ndaj donatorit – shtetit të Norvegjisë.

“Duke u bërë thirrje qytetarëve që të aplikojnë përmes platformës eKosova (https://ekosova.rks-gov.net/) për marrje të vaksinës kundër COVID-19, MSh rikujton faktin se Kosova është nga shtetet e rralla në rajon që nuk ka pranuar të marrë vaksina të pa aprovuara nga EMA dhe OBSh për përdorim kundër COVID-19”, thuhet më tej në njoftimin e MSH-së.

Ndryshe, deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu ka deklaruar se dozat e vaksinave që kanë ardhur nga Norvegjia janë me afat të skaduar.

Haxhiu, përmes një postimi në Facebook, ka pyetur se “sa prej këtyre vaksinave AstraZeneca të pranuara donacion nga Norvegjia ju ka skaduar afati i përdorimit me datë 30 qershor 2021 dhe sa prej tyre iu skadon me 30 korrik 2021”.

Kujtojmë se të shtunën Ministria e Shëndetësisë njoftoi se ka pranuar 182,000 doza të vaksinës AstraZeneca që janë donacion nga Norvegjia.