Ballina Lajmet Kosovë Refuzohet ankesa e Qeverisë, mbetet në fuqi pezullimi i vendimit për pagat...

Refuzohet ankesa e Qeverisë, mbetet në fuqi pezullimi i vendimit për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve

Gjykata e Apelit të Kosovës ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë –Departamenti për Çështje Administrative për pezullimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave për gjyqtarë dhe prokurorë.

Sipas vendimit Gjykata e Apelit më 20 janar të këtij viti ka vendosur që ankesa e Qeverisë së Republikës së Kosovës të refuzohet si e pabazuar.

“Refuzohet si e pa bazuar ankesa e të paditurës Qeveria e Republikës së Kosovës me seli në Prishtinë, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, A.nr….., i datës 02.12.2022, vërtetohet”, thuhet në vendimin e Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative me 2 dhjetor 2022 kishte vendosur për pezullimin e vendimit të Qeverisë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Kundër këtij vendimi në afatin ligjor ka ushtruar ankesë Qeveria e Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Avokatura Shtetërore, për shkak të aplikimit të gabuar apo jo të drejtë të dispozitave ligjore, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të drejtës materiale.

Përgjigje në ankesë në afat ligjor ka paraqitur Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, me propozim që ankesa e të paditurës – kundër propozueses, Qeveria e Republikës së Kosovës, të cilën e përfaqëson Avokatura Shtetërore e Republikës së Kosovës, të refuzohet si e pa themeltë dhe që vendimi i shkallës së parë të vërtetohet.

Tutje, sipas vendimit të Apelit thuhet se kjo gjykatë gjeti se gjykata e shkallës së parë pas shqyrtimit të propozimit të paditëses – propozueses për caktimin e masës së përkohshme për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të të paditurës, ka gjetur se propozimi i tillë është i bazuar, ngase paditësja – propozuesja ka ofruar prova të besueshme të cilat vërtetojnë faktin se ekzekutimi i vendimit do t’i sillte dëm paditëses i cili dëm vështirë do të riparohej dhe se shtyrja e tillë nuk është në kundërshtim me interesat e publikut.

Në arsyetimin e këtij vendimit thuhet se kolegji i Gjykatës së Apelit, duke u nisur nga gjendja e tillë e çështjes, pranon në tërësi si të drejtë dhe të ligjshëm një konkludim të tillë të gjykatës së shkallës së parë, ngase edhe sipas vlerësimit të kolegjit të kësaj gjykate, në rastin konkret janë plotësuar në mënyrë kumulative kushtet për shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ të paraparë në nenin 22 paragrafi 2 të Ligjit për Konfliktet Administrative.

Sipas Kolegjit, me dispozitën e lartcekur është paraparë që shtyrja mund të bëhet: “Me kërkesën e paditësit, organi, akti i të cilit ekzekutohet, gjegjësisht organi që është kompetent për ekzekutim, mund të shtyj ekzekutimin deri në vendimin definitiv gjyqësor, nëse ekzekutimi do ti sillte dëm paditësit, i cili vështirë do të riparohej, kurse shtyrja nuk është në kundërshtim me interesin publik, e as që shtyrja do ti sillte ndonjë dëm të madh palës kundërshtare, përkatësisht personit të interesuar”. E në rastin konkret sipas këtij vendimit e paditura me ankesën e ushtruar ka kërkuar anulimin e aktvendimit të gjykatës së shkallës së parë, me arsyetim se legjitimiteti i palës në procedurë nuk është kontestuar nga gjykata, edhe pse neni 18 i LKA- së, taksativisht parasheh se kush mund të jetë paditës në një konflikt administrativ, dhe sipas këtij neni e njëjta nuk i plotëson kushtet e parapara për veprim në mbrojtjen të interesit publik.

Lidhur me këtë pretendim ankimor kolegji i kësaj gjykate vlerëson se është i gabuar dhe jo bindës për ta aprovuar ankesën, për faktin se me Ligjin Nr.05/L-031 Për Procedurën e Përgjithshme Administrative janë krijuar mundësitë e zgjerimit të legjitimitetit të palëve në procedurë administrative dhe me këtë edhe në konfliktin administrativ, ashtu që si palë përfshijnë edhe subjektet që përfaqësojnë dhe mbrojnë interesin kolektiv, dhe interesin e gjerë publik – në radhë të parë shoqatat dhe organizatat e ngjashme të cilat në mesin e qëllimeve të tyre i kanë aktivitetet e mbrojtjes të interesit kolektiv.

Sipas arsyetimit të këtij vendimi ky zgjerim i legjitimitetit të palëve është paraparë me nenin 14 paragrafi 2 të Ligjit Nr.05/L- 031 Për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

“Ky zgjerim i legjitimitetit të palëve është paraparë me nenin 14 paragrafi 2 të Ligjit Nr.05/L- 031 Për Procedurën e Përgjithshme Administrative,, me të cilin përcaktohet se “ Palë në procedurën administrative janë, gjithashtu, dhe mbrojtësit e interesave publike të autorizuar me ligj të veçantë, si dhe mbrojtësit e interesave kolektive apo të interesave të gjëra të publikut, nëse këto interesa mund të cenohen nga rezultati i procedurës administrative”, thuhet në arsyetim të Apelit.

Në vendimin e Apelit thuhet se me dispozitën e lartcekur kanë hyrë edhe dy kategori të reja të interesit – interesi kolektiv dhe interesi i gjerë i publikut, dhe me këtë është krijuar mundësia që legjitimiteti të zgjerohet edhe në subjektet që për të drejtat dhe detyrimet e tyre nuk vendoset drejtpërdrejtë në procedurën konkrete.

Tutje, kolegji ka vendosur edhe lidhur me pretendimet e palës ankuese sa i përket konfliktit të interesit, dhe sipas kolegjit ky pretendim i palës ankimore është paqëndrueshëm.

“Ndërsa sa i përket pretendimeve ankimore të paditurës që kanë të bëjnë me konfliktin e interesit, se gjykata e shkallës së parë ka vepruar në situatë të konfliktit të interesit, kolegji i kësaj gjykate konsideron se ky pretendim është i pambështetur në argumente bindëse dhe si i tillë nuk qëndron. Kjo për faktin se me nenin 69 të Ligjit Për Procedurën Kontestimore të aplikueshëm sipas nenit 63 të LKA-së, parashihet se palët mund të kërkojnë përjashtimin vetëm të gjyqtarit që merr pjesë në procedurën e caktuar”, thuhet në vazhdimin e arsyetimit të këtij vendimi.

Po ashtu, sipas këtij vendimi pretendimi i palës ankuese lidhur me konfliktin e interesit është pretendim në kundërshtim me dispozitat kushtetuese dhe ligjore, sepse në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës është paraparë se çdo kush që konsideron që i janë shkelur të drejtat e garantuara me Kushtetutë – në këtë rast e drejta në pagë, ka të drejtë ti drejtohet gjykatës kompetente.

Po ashtu sipas aktvendimit gjykata e shkallës së parë ka konstatuar se, shtyrja e ekzekutimit të vendimit të kontestuar me këtë padi, nuk është në kundërshtim me interesin publik, porse një shtyrje e tillë i kontribuon ruajtjes së sistemit unitar dhe funksionimit normal të Institucioneve të Drejtësisë, në shërbim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në funksion të ushtrimit të funksioneve shtetërore.

Lidhur më sipër ka shtuar, se për më tepër interesi i përgjithshëm apo publik nuk dëmtohet është vërtetuar edhe nga fakti se, gjyqtarët dhe prokuroret pagat me rritje i kanë realizuar që nga viti 2017, dhe kjo nuk ka ndikuar në ndonjë krizë e ekonomike financiare.

Tutje, Kolegji i kësaj gjykate ka vlerësuar edhe pretendimet tjera ankimore, se gjykata e shkallës së parë dëmin e pariparueshëm nuk e ka arsyetuar dhe se e njëjta nuk e arsyeton as dëmin e shkaktuar ndaj palës kundërshtare. Pastaj se për shkak të aplikimit të gabuar të dispozitave ligjore, ky aktvendim është në tërësi i pabazuar në ligjet në fuqi.

Sipas vendimit, thuhet se Kolegji i kësaj gjykate vlerëson se këto pretendime janë të pa bazuara dhe të paargumentuara në prova konkrete, të pamjaftueshme dhe jo bindëse për tu aprovuar ankesa.

Pra sipas këtij vendimi, gjykata e shkallës së parë drejtë ka vendosur kur e ka aprovuar si të bazuar propozimin për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kontestuar, ngase kjo shmang pasojat e mundshme që do të shkaktoheshin në të ardhmen nëse vendimi i kontestuar i të paditurës në fund të procesit gjyqësor rezulton se është marrë në kundërshtim me ligjin.

Tutje, në këtë vendim thuhet se Kolegji i Gjykatës së Apelit pa paragjykim ndaj vendimit të mëtejshëm që do të nxirret nga gjykata e shkallës së parë për kërkesëpadinë e paditëses, vlerëson se kërkesa për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kontestuar të paditurës është dashtë të aprovohet si e bazuar, meqenëse funksionimi i rregullt i institucioneve të drejtësisë, përbënë interes të përgjithshëm.

Andaj, kolegji i Gjykatës së Apelit ka vlerësuar se mbi këtë gjendje të fakteve, ka gjetur se Gjykata Themelore në Prishtinë -Departamenti për Çështje Administrative, në mënyrë të drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike dhe drejtë ka zbatuar dispozitat procedurale dhe materiale, se nuk është cenuar ligji në dëm të paditurës me rastin e aprovimit të propozimit për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kontestuar të paditurës.

Më 29 nëntor, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte pranuar padinë nga Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ndaj Qeverisë së Kosovës, pas vendimit të marrë nga kjo e fundit për uljen e pagave ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Sipas njoftimit, gjykata ka marrë aktvendim me të cilin ka aprovuar propozimin e paditëses–propozuesës, Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, si të bazuar dhe ka shtyrë ekzekutimin e vendimit me numër 03/109 i datës 23.11.2022, i të paditurës, Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit, derisa gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor, përkitazi me kërkesëpadinë e paditëses.

Si reagim ndaj vendimit të Qeverisë për uljen e pagave, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), kishin reduktuar punën në gjykata dhe prokurori.

Lidhur me këtë vendim të Qeverisë, kishte reaguar edhe shoqëria civile, duke e quajtur uljen e pagave në sistemin e drejtësisë, ndërhyrje në drejtësi dhe rritje të potencialit korruptiv. /Betimi për Drejtësi/

Exit mobile version