Kujtesë e shkurtër e trajektores së dhunshme të një lideri që kërkon ringjalljen politike mes izolimit ndërkombëtar dhe retorikës leniniste
Në analet e historisë politike shqiptare të pas viteve 1990, nofka “Marshalli” nuk lindi si një titull nderi për merita ushtarake, por si një dëshmi e natyrës luftarake dhe agresive të Sali Berishës. Ky epitet, i ushqyer nga ndjekësit e tij më fanatikë, sot kulmon si një ironi therëse mbi fatet e një partie që lindi me ëndrrën për liri, por që përfundoi e rrethuar nga muret e autokracisë dhe kultura e dhunës.
Që në agun e Partisë Demokratike, kjo qasje ushtarake shërbeu si një sitë përjashtuese. Intelektualët e parë, ata që kërkonin debat e jo urdhra, u larguan duke parë shenjat e para të një regjimi që po zëvendësonte një diktaturë me një formë tjetër brutaliteti.
Kush nuk u nënshtrua, u spastrua. Kush nuk u largua në emigrim, u tërhoq në heshtje ose u përball si opozitar me peshën e rëndë të pushtetit të viteve 1992-1997, ku moderimi shihej si dobësi dhe agresiviteti si një mjet legjitimimi.
Pas kaosit të vitit 1997, ku skemat piramidale dhe gjakderdhja i treguan botës limitet e kësaj forme qeverisjeje, rreth Berishës mbetën kryesisht detashmentet e dhunës. Megjithatë, historia ka një memorie të shkurtër dhe një sens humori cinik.
Ai u rikthye në pushtet në vitin 2005, jo se ishte transformuar, por sepse korrupsioni i kundërshtarëve socialistë i bëri ndërkombëtarët të besonin se “Marshalli” i PD ishte e keqja më e vogël. Rezultati ishte zhgënjyes, pasi sllogani “Me duart e pastra”, u mbyt nga rekorde të reja aferash korruptive.
Sot, pas një dekade humbjesh nën drejtimin formal të Lulzim Bashës, i cili tentoi t’i jepte partisë një fytyrë njerëzore, ndërkohë që Berisha kontrollonte fijet nga prapaskena, ai po tenton një ringjallje si ajo e Feniksit mitik.
Por ky nuk është një lider që ngrihet nga hiri për të sjellë dritë. Kjo që po shohim, është përpjekja e dëshpëruar e një njeriu të shpallur non-grata nga SHBA dhe Britania e Madhe për të përdorur militantët si mburojë ndaj drejtësisë.
Retorika e tij luhatet në mënyrë skizofrenike mes agresorit që premton se populli do të nxjerrë zvarrë kryeministrin (edhe ky plot me zullume) nga zyra dhe babait të kombit, që nën petkun e moshës dhe përvojës, predikon urtësi e durim.
Në të dyja rastet, togfjalëshi “revolucion demokratik” tingëllon fals. Për një udhëheqës që karrierën e ka ndërtuar mbi shtypjen e zërave ndryshe, mbiemri “demokratik” është thjesht një stoli dekorative mbi një mentalitet të pastër leninist të “revolucionit permanent”.
Pavarësisht kësaj rënieje të lirë, Berisha ka refuzuar vazhdimisht të tërhiqet në mënyrë të fisme nga skena politike. Duke sfiduar jo vetëm kundërshtarët, por edhe vetë ciklin natyror të pushtetit, ai ka deklaruar më shumë se një herë se nga selia e PD-së do të largohet vetëm me arkëmort, drejt banesës së fundit, atëherë “kur ta thërrasë i Plotfuqishmi”.
Nevoja për t’u shkrirë me karrigen e liderit, duke e lidhur fatin personal me atë të një institucioni të tërë deri në frymën e fundit në këtë botë, dëshmon për një shkëputje të rrezikshme nga realiteti.
Në fund të fundit, punët dhe planet e Zotit për gjithsecilin prej nesh janë vetëm të tijat dhe nuk na takojnë kurrsesi ne njerëzve që t’i paracaktojmë. Megjithate latinët kishin nje shprehje të famshme, me gjasë të marrë nga tragjedianët e famshëm grekë të lashtësisë “Quos vult perdere dementat!”, që do të thotë “Atë që Zoti do ta shkatërrojë, në fillim i merr mendjen”.
A ka ndodhur vallë kështu edhe me “Marshallin” e Partisë Demokratike? /tesheshi
