Një grup prej 350 ish-ministrash, ambasadorësh dhe zyrtarësh të lartë evropianë i kanë kërkuar Bashkimit Evropian të pezullojë Marrëveshjen e Asociimit BE-Izrael, duke akuzuar Tel Avivin për shkelje të detyrimeve për të drejtat e njeriut në territoret palestineze, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të përbashkët sot, nënshkruesit thanë se derisa vëmendja globale është shpërqendruar, qeveria izraelite ka përshkallëzuar ‘politikën e saj të pushtimit të paligjshëm’ dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në një nivel të patolerueshëm.
Ata thanë se dhuna ka vazhduar pavarësisht një armëpushimi nominal, duke paralajmëruar se zgjerimi i planifikuar i vendbanimeve në korridorin E1, një zonë që lidh Kudsin Lindor me Ma’ale Adumim do të ndante në mënyrë efektive Bregun Perëndimor dhe do të minonte perspektivat për një zgjidhje me dy shtete.
Gjithashtu ata ngritën shqetësime lidhur me legjislacionin e miratuar nga Parlamenti izraelit (Knesset) më 30 mars duke pretenduar se ai prezanton dënimin me vdekje për të burgosurit palestinezë ndërsa përjashton izraelitët hebrenj.
“Ky legjislacion i neveritshëm është i ngjashëm me një shtet aparteidi që vepron pa kufizime ligjore”, thanë ata. Nënshkruesit argumentojnë se Izraeli po shkel Nenin 2 të marrëveshjes BE-Izrael, i cili kërkon respektimin e të drejtave të njeriut si kusht për bashkëpunim.
“Qeveria aktuale izraelite shkel këto parime thelbësore të BE-së në lidhje me palestinezët, për mirëqenien e të cilëve mbetet ligjërisht dhe moralisht përgjegjëse si fuqi pushtuese”, tha ajo.
Ata i kanë bërë thirrje BE-së që ta pezullojë marrëveshjen plotësisht ose pjesërisht, të ndalojë tregtinë me vendbanimet, të pezullojë bashkëpunimin ushtarak dhe të zgjerojë sanksionet dhe ndalimet e vizave për individët e përfshirë në represion.
Deklarata gjithashtu akuzon BE-në për mospërputhje, duke krahasuar qasjen e saj ndaj Izraelit me përgjigjen e saj ndaj Rusisë, duke thënë se pabarazia ka krijuar perceptime të “standardeve të dyfishta”.
Që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor 2023, sulmet nga ushtria izraelite dhe pushtuesit në Bregun Perëndimor kanë vrarë të paktën 1.133 palestinezë, kanë plagosur rreth 11.700 të tjerë dhe kanë çuar në gati 22 mijë arrestime, sipas shifrave palestineze.
Në një vendim historik në korrik 2024, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.
