Ballina Lajmet Kosovë Rrëzimi i aktakuzës me vetëm një provë, gjykatësi Hamdi Ibrahimi i përgjigjet...

Rrëzimi i aktakuzës me vetëm një provë, gjykatësi Hamdi Ibrahimi i përgjigjet reagimit të Prokurorisë së Shtetit

Përveç që nuk parashihet me normat ligjore, por edhe kundër praktikës në sistemin e drejtësisë, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka lëshuar një sqarim si formë e reagimit ndaj deklaratave të gjykatësit Hamdi Ibrahimi, i cili i kishte bërë me rastin e shpalljes së aktgjykimit ndaj të akuzuarit për përvetësim në detyrë, Abit Kastrati.

Gjykata Themelore në Prishtinë, të premten e kaluar, më 26 shkurt, e kishte liruar nga akuza të akuzuarin Kastrati, aktakuzën ndaj të cilit e kishte përfaqësuar prokurorja Dulina Hamiti.

Aktgjykimi ndaj tij, ishte shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Hamdi Ibrahimi, i cili kishte thënë se prokuroria nuk ka arritur me asnjë provë që të vërtetojë se Kastrati është kryerës i veprës penale, pasi sipas tij, edhe pse prokuroria ka pretenduar se i akuzuari ka shkaktuar dëm prej 32 mijë euro, këtë nuk e ka provuar.

“Me asnjë provë nuk vërtetohet se i akuzuari ka kryer veprën penale. Akuzohet se ka shkaktu dëm 32.000.00 euro, e më asnjë provë nuk është vërtetur se ka bërë dëm 1.000 apo 30.000 euro’’, kishte deklaruar gjykatësi Ibrahimi me rastin e shpalljes së aktgjykimit.

Sipas Ibrahimit, organi i ndjekjes ka qëndruar mbi 10 vjet në këtë lëndë me vetëm një provë që nuk ka provuar elemente të veprës penale, ndërsa ka shtuar se ka menduar se gjatë shqyrtimit gjyqësor prokuroria do të propozoi ndonjë ekspertizë apo provë tjetër.

“Ka qenë rast interesant që prokuroria ka mbet pranë aktit akuzues me vetëm një provë, me të cilin nuk është manifestuar asnjë element i veprës penale. Rast eklatant i ndjekjes penale që ndiqet penalisht një person me asnjë provë, ky rast nuk duhet të ndodhë në të ardhmen”, kishte përfunduar Ibrahimi në arsyetimin e vendimit të trupit gjykues.

Pak ditë pas këtij deklarimi, Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes një sqarimi per media, ka treguar për aktakuzën në fjalë, që ishte ngritur nga Departamenti për Krime të Rënda më 27.06.2016.

Sipas kësaj prokurorie, kjo aktakuzë ka qenë e mbështetur në prova dhe dëshmi të mjaftueshme, ku kjo argumentohet sipas saj, edhe me aktvendimin e Gjykatës së Apelit, PN nr.895/17 të datës 06.11.2017, kur e ka refuzuar si të pabazë ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Abit Kastrati, pasi që në atë aktvendim ndër të tjera është cekur se ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë dyshimin e bazuar mirë se është kryer vepra penale me të cilën ngarkohet i akuzuari.

Në këtë sqarim të prokurorisë, thuhet se ky institucion ende nuk e ka pranuar aktgjykimin lirues nga Gjykata Themelore në Prishtinë, dhe sapo ta pranojë atë, kjo prokurori ka thënë se do ta shfrytëzoj të drejtën ligjore për ushtrimin e mjetit juridik të ankesës.

“Andaj, Prokuroria Themelore në Prishtinë, sqaron opinionin lidhur me deklaratat e gjyqtarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi, i cili të premten, e ka liruar nga akuza për “përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës”, të akuzuarin Abit Kastrati. Gjykatësi Ibrahimi, me rastin e shpalljes së aktgjykimit ka deklaruar se “me asnjë provë nuk vërtetohet se i akuzuari ka kryer veprën penale. Akuzohet se ka shkaktua dëm 32.000.00 euro, e më asnjë provë nuk është vërtetur se ka bërë dëm 1.000 apo 30.000 euro’’. Po ashtu, sipas Ibrahimit, organi i ndjekjes ka qëndruar mbi 10 vjet në këtë lëndë me vetëm një provë që nuk ka provuar elemente të veprës penale, ndërsa ka shtuar se ka menduar se gjatë shqyrtimit gjyqësor prokuroria do të propozoi ndonjë ekspertizë apo provë tjetër”, thuhet në reagimin e Prokurorirsë Themelore në Prishtinë.

Por, pas këtij sqarimi të Prokurorisë, ka reaguar gjykatësi Hamdi Ibrahimi, i cili ka qenë kryetar i trupit gjykues, në rastin e gjykimit në fjalë.

Ibrahimi për “Betimi për Drejtësi”, ka deklaruar se së pari ky sqarim i Prokurorisë, nuk është komunikatë nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, sepse sipas tij, sqarimi nuk është përcjell me ndonjë deklarim të Kryeprokurorit të Shtetit.

“Sinqerisht e kam të vështirë të kuptoj se çka është menduar, apo se çka kërkohet të arrihet me këtë “sqarim” ?”, ka deklaruar Ibrahimi.

Ai më pas ka treguar për gjykimin e rasti dhe shpalljen e aktgjykimit ndaj trë akuzuarit për përvetësim në detyrë, ku sipas tij, trupi gjykues që ai e ka kryesuar ka konsideruar s gjatë shqyrtimit gjyqësor nga prokurori i shtetit nuk është prezantuar asnjë provë me të cilën do të provohej se ky i akuzuar ka kryer veprën penale për të cilën ishte akuzuar.

“Si kryetar i trupit gjykues kur shpalli aktgjykimin me të cilin i akuzuari apo të akuzuarit shpallen fajtorë, lirohen nga akuza apo akuza refuzohet, në të njëjtën kohë pra pas shpalljes së aktgjykimit prezentoi arsyetimin e shkurtër-veprim ky konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale. Nëse aktgjykimi është dënues prezentohen, arsyet përse gjykata konsideron se janë fajtorë, nëse aktgjykimi është lirues prezentohen arsyet përse gjykata konsideron se sipas provave të prezentuara në shqyrtimin gjyqësor nuk është arrit që të vërtetohet se i akuzuari apo të akuzuarit kanë kryer veprën penale, ndërsa nëse aktgjykimi është refuzues prezentohen arsyet për bazat ligjore, sipas të cilave ka pengesë për zbatimin e procedurës penale”, ka thënë Ibrahimi.

Pretendimet e Prokurorisë Themelore të Prishtinës se Gjykata e Apelit ka konstatuar se ka prova të mjaftueshme, Ibrahimi ka thënë se nuk dëshiron t’i komentoi, përveç sugjerimit që sipas tij, do të ishte mirë që aktvendimi i Apelit të lexohet deri në fund dhe në faqen e fundit do të gjejnë përgjigjen.

“Lidhur me këto pretendime si kryetar i trupit gjykues do të deklarohem me aktgjykim në pjesën e arsyetimi dhe e mirëpres ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë kundër këtij aktgjykimi”, ka thënë në fund Ibrahimi.

Sipas Kodit të Etikës dhe Sjelljes Profesionale për Prokurorë, neni 3, pika 8, përcakton se prokurori i shtetit në raport me gjyqtarin respekton pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqtarëve, nuk hedh dyshim mbi vendimet gjyqësore dhe as nuk pengon në ekzekutimin e tyre, me përjashtim të rasteve kur ushtrojnë të drejtat e tyre për ankesë ose thirren në ndonjë tjetër procedurë në përputhje me ligjin. Gjithashtu thuhet se prokurori nuk kritikon gjyqtarët publikisht në mënyrë të papërshtatshme.

Exit mobile version