Rritet ҫmimi i gazit natyror në SHBA teksa shtohet kërkesa nga Europa

Çmimet e gazit natyror në Shtetet e Bashkuara kanë arritur nivelin më të lartë të 13 viteve, pjesërisht për shkak të kërkesës së Europës për burime alternative të energjisë në vazhdën e pushtimit rus në Ukrainë.

Amerikanët deri vonë nuk ishin përballur me rritjen drastike të çmimeve të gazit natyror, gjë që ka ndodhur në rajone të tjera të botës. Në një kohë kur faturat e energjisë janë rritur ndjeshëm në të dyja anët e Atlantikut, rritja e çmimeve të gazit natyror ka goditur veçanërisht konsumatorët europianë, duke kërcënuar me miliona njerëz që të mos kenë mundësi për të pasur furnizim me gaz.

Megjithatë, në fillim të këtij muaji, çmimet e gazit natyror në Shtetet e Bashkuara arritën nivelin më të lartë të 13 viteve prej 8,78 dollarë (8,32 €) për milion njësi termike britanike (MMBTU). Që nga fillimi i marsit, çmimet janë rritur me gati 90% dhe Administrata e Informacionit të Energjisë në SHBA (EIA) – agjencia përgjegjëse për analizimin e përdorimit të energjisë vendase – tha javën e kaluar se priste që çmimet të mbeten të larta edhe për pjesën tjetër të vitit.

Megjithëse rritja e ҫmimeve në SHBA nuk krahasohet me situatën në Europë, ku çmimet e gazit natyror arritën së fundi 37 dollarë për MMBTU, kjo rritje është një barrë shtesë për administratën e Biden-it, e cila po përpiqet të trajtojë inflacionin e lartë. Presidenti amerikan Joe Biden pranoi javën e kaluar se rritja e çmimeve ishte “një problem real dhe i vështirë për t’u zgjidhur” dhe paralajmëroi se inflacioni mund të vazhdojë të përkeqësohet, përpara se të përmirësohet.

Konsumatorët nuk e ndjejnë rritjen – akoma

Ndryshe nga rritjet e fundit të çmimeve të benzinës dhe naftës, të cilat janë pritur me zemërim publik, analistët kanë paralajmëruar se mund të duhet kohë që çmimet e larta të gazit natyror të jenë plotësisht të dukshme për konsumatorët. Por, ato tashmë po ndikojnë në kostot e prodhimit dhe të transportit në shumë sektorë ekonomikë të SHBA.

“Gazi natyror ndikon në çmimin e energjisë elektrike, në çmimin e plastikës dhe të produkteve të ndryshme kimike,” tha për DW Pavel Molchanov, drejtor dhe analist i studimeve për kapitalin në Energy Group, në gjigantin e shërbimeve financiare amerikane Raymond James & Associates. “Konsumatorët i shohin efektet e gazit natyror si një derivat në llojet e tjera të produkteve apo të shërbimeve që blejnë.”

Ka disa faktorë që janë kosnideruar si përgjegjës për rritjen e çmimeve, duke përfshirë goditjet e shumta pas pandemisë në sektorin global të energjisë, të përkeqësuara nga pushtimi rus në Ukrainë. Teksa vendet europiane janë përpjekur të sigurojnë furnizime alternative dhe të shkëputen nga varësia ndaj karburanteve fosile ruse, kërkesa për gazin amerikan është rritur në stratosferë.

Këtu përfshihet gazi natyror i lëngshëm, për të cilin SHBA është tani eksportuesi më i madh. Prodhuesit amerikanë të gazit të lëngshëm po përpiqen të rrisin kapacitetin për të përmbushur nevojat e Europës për energji, gjë që po ushqen gjithashtu pritshmëritë për një kërkesë më të lartë për gaz natyror në SHBA.

EIA tha se magazinimi i gazit në SHBA arriti në nivelin më të ulët të tre viteve në fund të dimrit, për shkak të kërkesës së lartë për ngrohje. Nga ana tjetër, tani, moti jashtëzakonisht i ngrohtë në shumë pjesë të SHBA-së po kontribuon gjithashtu në çmime më të larta përmes rritjes së përdorimit të sistemeve të ftohjes në ndërtesat komerciale dhe rezidenciale.

Furnizimi mbetet i dobët pas COVID

Ndërsa kërkesa për gaz natyror përgjithësisht është rikuperuar nga ndikimi i COVID-19, furnizimi me karburantin kryesor fosil nuk është rikuperuar. Rritja e furnizimit thuhet se po pengohet në dy shtyllat kryesore të prodhimit të gazit natyror në SHBA – rajoni Appalachian me 13 shtete nga Nju Jorku jugor deri në Misisipin verior, si dhe Teksasi Perëndimor, ku kompanitë ia kanë vënë fajin mungesës së infrastrukturës të përshtatshme të tubacioneve.

Agjencia e lajmeve Reuters tha këtë javë se në Appalachia, e cila furnizoi më shumë se një të tretën e gazit amerikan vitin e kaluar, firmat e energjisë po hasnin probleme me ndërtimin e tubacioneve të reja. Rritja e prodhimit në Permian Shale – e cila furnizoi rreth 19% të gazit amerikan në vitin 2021 – mund të ngadalësohet ndjeshëm vitin e ardhshëm nëse nuk ndërtohen tubacione të reja së shpejti, raportoi Reuters.

Kostot e larta kanë ngadalësuar ndërtimin e tubacioneve të reja, së bashku me presionin ndaj prodhuesve të energjisë nga shtetet amerikane dhe nga investitorët për të qenë sa më miqësorë me mjedisin dhe për të ulur emetimet e karbonit. /dw