Numri i të vdekurve nga shpërthimi i fuqishëm në portin jugor iranian Shahid Rajaee është rritur në 28, ndërsa mbi 800 persona janë raportuar të plagosur, njoftoi të dielën agjencia shtetërore IRNA. Disa persona ende rezultojnë të zhdukur pas shpërthimit masiv.
Shpërthimi ndodhi të shtunën në seksionin Shahid Rajaee të portit Bandar Abbas, qendra më e madhe e kontejnerëve në Iran, duke thyer xhamat në një rreze prej disa kilometrash, duke shqyer mbështjellës metalikë të kontejnerëve dhe dëmtuar rëndë mallrat brenda tyre, raportuan mediat shtetërore.
Ngjarja ndodhi ndërsa Irani po zhvillonte raundin e tretë të bisedimeve bërthamore me Shtetet e Bashkuara në Oman.
Dyshohet se kimikatet e magazinuara në port kanë nxitur shpërthimin, por shkaku i saktë ende nuk është konfirmuar. Ministria e Mbrojtjes e Iranit mohoi raportet ndërkombëtare që e lidhin shpërthimin me keqmenaxhimin e karburantit të ngurtë për raketat, duke i quajtur këto raportime “pjesë të operacioneve psikologjike të armikut”.
Një zëdhënës i ministrisë tha për televizionin shtetëror se zona e prekur nuk përmbante ngarkesa ushtarake.
Ndërkohë, Associated Press citoi firmën britanike të sigurisë Ambrey, e cila raportoi se porti kishte marrë në mars një sasi të madhe sodium perchlorate — një substancë që përdoret për shtytjen e raketave balistike — dhe keqtrajtimi i saj mund të ketë shkaktuar shpërthimin.
Gazeta Financial Times kishte raportuar në janar për transportin e dy anijeve iraniane nga Kina, të ngarkuara me mjaftueshëm sodium perchlorate për të furnizuar rreth 260 raketa me rreze mesatare veprimi, pas sulmeve të drejtpërdrejta të Iranit ndaj Izraelit në vitin 2024.
