Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme i Rusisë (SVR) akuzoi të hënën presidentin francez, Emmanuel Macron, për autorizimin e operacioneve të inteligjencës që synojnë eliminimin e atyre që i përshkroi si “udhëheqës të padëshirueshëm” në Afrikë, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, SVR tha se administrata Macron po kërkon “me tërbim” një “rikthim politik” në kontinentin afrikan, ku Franca ka përjetuar atë që agjencia e karakterizoi si “humbje” të konsiderueshme në vitet e fundit.
Këto pengesa, sipas deklaratës, lidhen me “ardhjen në pushtet në disa ish-koloni franceze në Afrikë të forcave patriotike që i japin përparësi interesave të popullit dhe refuzojnë të shërbejnë si kukulla të oligarkisë financiare dhe politike të globalistëve francezë”.
“Qoftë i frymëzuar nga operacioni amerikan për të kapur presidentin venezuelan, Nicolas Maduro apo duke e imagjinuar veten si arbitër të fatit të kombeve afrikane, Macron autorizoi shërbimet e tij të inteligjencës të nisin një plan për të eliminuar ‘udhëheqësit e padëshirueshëm’ në Afrikë”, tha SVR.
Agjencia pretendoi se “përfshirja e Francës në grushtin e shtetit të tentuar në Burkina Faso më 3 janar të këtij viti tashmë është vërtetuar”.
Sipas SVR-së, komploti i dyshuar përfshinte plane për të vrarë Presidentin e Burkina Fasos, Ibrahim Traore, të cilin e përshkroi si “një nga udhëheqësit e luftës kundër neokolonializmit”.
SVR-ja pohoi se Parisi priste që veprime të tilla do të sillnin në pushtet forcat pro-franceze në Ouagadougou dhe do të dobësonin lëvizjet politike në kontinent që mbështesin sovranitetin dhe ideologjinë pan-afrikane.
Pavarësisht asaj që e përshkroi si një dështim në Burkina Faso, SVR-ja pretendoi se Franca e ka zhvendosur fokusin e saj në destabilizimin e “vendeve të padëshirueshme” në rajonin Sahel-Sahariane.
Sipas agjencisë, kjo dyshohet se po bëhet “me ndihmën e grupeve terroriste lokale dhe, natyrisht, regjimit ukrainas, i cili furnizon militantët me dronë dhe instruktorë”.
“Goditja kryesore e kësaj bande është drejtuar kundër Malit”, tha deklarata, duke përmendur sulme ndaj konvojeve të karburantit, përpjekje për të bllokuar qytetet dhe akte terroriste kundër civilëve.
Këto veprime, pretendoi SVR, synojnë “të krijojnë kushte për rrëzimin e presidentit Assimi Goita”.
Agjencia akuzoi gjithashtu Francën për komplot të ngjashëm kundër Republikës së Afrikës Qendrore.
“Franca ka kaluar në mbështetje të drejtpërdrejtë të terroristëve të llojeve të ndryshëm të cilët janë bërë aleatët e saj kryesorë në kontinentin afrikan”, tha SVR.
