Rusia arrin një numër rekord vdekjesh nga COVID, të rinjtë refuzojnë vaksinën

Rusia ka raportuar nivele rekord në vdekshmëri dhe raste të reja të COVID-19 për herë të pestë në një javë, teksa vendi është në valën katërt të virusit.

Vendi, i cili ka një normë vaksinimi nën 30%, raportoi 883 vdekje dhe 25.781 raste të reja gjatë 24 orëve të fundit.

Punonjësit e shëndetësisë kanë fajësuar për situatën të rinjtë të cilët kanë refuzuar të injektohen.
“Të rinjtë nuk kujdesen aq shumë për shëndetin e tyre, sepse ata mendojnë se janë të rinj, të fortë dhe të shëndetshëm. Kështu që ata nuk vaksinohen”, tha Sergey Babikov, kreu i një njësie të kujdesit intensiv në rajonin jugperëndimor të Stavropol.

Zyrtarët kanë thënë se shumica dërrmuese e njerëzve në spital janë të pavaksinuar dhe Presidenti Vladimir Putin në mënyrë të përsëritur u ka kërkuar rusëve që të marrin një dozë të vaksinës.

Rusia ishte vendi i parë që krijoi një vaksinë anti-COVID, por sondazhet e fundit të pavarura kanë treguar se shumë rusë janë skeptikë ndaj vaksinave të prodhuara nga vendi i tyre.

Zëvendëskryeministrja ruse, Tatiana Golikova, e cila menaxhon situatën kombëtare të koronavirusit, paralajmëroi se i pret një periudhë e vështirë.

“Ne kemi një rritje të sëmundshmërisë dhe dua t’ju kërkoj të jeni të kujdesshëm”, tha Golikova, teksa shtoi se pavarësisht rekordit të ri ditor të vdekjeve nga COVID-19, qeveria ruse ngurron të vendosë kufizime mbarëkombëtare që mund të dëmtonin ekonominë.

Restorantet, baret dhe klubet e natës mbeten të hapura, megjithëse disa rajone kanë njoftuar se do të rivendosin rregulla që kërkojnë që njerëzit të tregojnë dëshmi të vaksinimit. /euronews