Rusia do të dërgojë në Arktik abuzuesit seksualë të fëmijëve

Vyacheslav Volodin

Qeveria ruse ka vendosur që të ashpërsojë ligjet kundër pedofilëve. Personat që kanë abuzuar seksualisht me fëmijë do të kryejnë dënimin e tyre në burgjet e ashpra në Arktik, ku do të detyrohen të punojnë në minierat siberiane.

Ky lajm është bërë i ditur nga zëdhënësi i Parlamentit, Vyacheslav Volodin, i cili theksoi se legjislacioni i ri do të miratohet shumë shpejt.

“Njëri prej kriminelëve ishte një pedofil që ishte dënuar më parë. Kjo do të thotë që duhen ashpërsuar ligjet. Le ta miratojmë që në janar ligjin që do t’i dënojë përjetësisht pedofilët. Gjithashtu, ata duhet ta kryejnë dënimin në kushtet më të vështira të mundshme: në skajin më të largët të Rusisë ose nëpër miniera. Këta të poshtër duhet të vuajnë me punët më të rënda, që krimin e bërë ta kujtojnë përditë. Nuk mund të quhen njerëz këta”, tha Volodin.

Kjo masë vjen pasi Rusia u trondit këtë javë nga vrasja makabre e një vajze 5-vjeçare, e cila u rrëmbye nga një pedofil dhe i dashuri i tij, të cilët e abuzuan seksualisht dhe e vranë. /tiranapost